
‘Astmeri ka vjedhur…’/ Si nisi konflikti në Shkodër, Ibrahim Lici akuzonte Bilalin për “rikat”

Ibrahim Lici dhe Astmer Bilali
TIRANË– Zbulohen detaje të reja lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit. Sipas dosjes hetimore, dhe siç SPAK ka bërë me dije publikisht me anë të një njoftimi zyrtar, Lici është ekzekutuar pas vrasjes së ish-policit Boran Bërçana. Kjo për shkak se fisi Bajri kishte dyshime se miku i tyre, Boran Bërçana, i cili ka qenë punonjës policie deri disa muaj para ngjarjes, ishte ekzekutuar në makinë nga Ibrahim Lici. Por duket se nisja e këtyre vrasjeve ishte thjesht “shkarkesa” e atyre që po luhej prej kohësh “nën rrogoz”.
Sipas SPAK, Behar Brajoviq dhe Safet Rustemi (Bajri) kanë qenë në Tiranë më datë 9 gusht 2018, pra një ditë para ngjarjes. Bashkë me ta kanë qenë edhe Gjin Boriçi (i vrarë me urdhër të Behar Bajrit), Denis Brajoviq, Arjan Zogaj e Eria Ago. Ndërsa Astmer Bilali ka qenë në Velipojë. Plani i vrasjes mund të ketë nisur shumë më herët, por vetëm mbrëmjen e 9 gushtit, Safet Bajri e ka marrë Astmerin në telefon dhe i ka kërkuar që t’i bashkohet grupit në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, si behar Bajri, edhe Bilali kanë pasur komunikime të vazhdueshme me Ibrahim Licin; madje edhe kanë debatuar.
Përse?
Ibrahim Lici e ka akuzuar Astmer Bilalin se ka vjedhur “rikat” e Arjan Zogajt. Rikat janë të voglat e rosës, por në këtë kontekst nuk dihet përse janë përdorur. Lici akuzon Bilalin se ka vjedhur “rika jeshile”, 2 ose 3 copë, por ka gjasa që termi të mos jetë përdorur literalisht për shpendin, por si nënkuptim për diçka tjetër. Se çfarë, kjo ende nuk është zbuluar nga grupi hetimor./ZËRI