
Aksidenti tragjik/ Shoferi i betonieres del sot para gjykatës, çfarë pritet të ndodhë

AKSIDENTI
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur të zhvillojë sot seancën gjyqësore për Aleksandër Krrashin, shoferi i betonieres me të cilin u përplas makina që udhëtonin katër viktimat. Ishte Prokuroria ajo që kërkoi që sot të zhvillohet seanca gjyqësore. Sipas “Top Channel”, seanca do të nis në orën 11:00, ku Krrashi do të njihet me masën e sigursë. Prokuroria ndaj tij ka kërkuar “arrest me burg”.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Edvan Vecani. Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ka ngritur veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Sipas materialit të referuar nga Policia Rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se mjeti “Mercedes Benz” me të cilin po udhëtonin të rinjtë ishte me shpejtësi 170 km/h në orë dhe para se të përplasej me betonieren ka parakaluar dy kamionë. Duke qenë se sapo kishte bërë një parakalim, drejtuesi i mjetit nuk kishte fushëpamje dhe se ka kuptuar që pasi të kalonte kamionin do të përplasej me betonieren.
Enejd Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti ishin nisur për të marrë Erild Laçin në Rinas, i cili sapo kishte ardhur nga Gjermania. Por në kthim, ndodhi aksidenti tragjik dhe katër të rinjtë u dogjën brenda automjetit dhe ndërruan jetë.
Ndërsa drejtuesi i betonieres Aleksandër Krashi është larguar nga vendngjarja në momentin që ka ndodhur përplasja pasi nuk kishte patentë për të drejtuar betonieren. Por, disa orë më vonë, ai u vetëdorëzua në polici. Në pranga është vënë edhe menaxheri i firmës së prodhimit të betonit, Danjel Koxha, 34 vjeç i cili akuzohet se nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar në të zezë drejtuesin e betonieres, pa patentë. Administratori i firmës së betonit është shpallur në kërkim./ZËRI