Aksidenti me 4 viktima në Fushë Prezë/ Arrestohet shoferi i betonieres, dhe dy të tjerë, mes tyre edhe menaxheri i fermës

Aksidenti me 4 viktima në Fushë Prezë/ Arrestohet shoferi i betonieres, dhe dy të tjerë, mes tyre edhe menaxheri i fermës

Aksidenti me 4 viktima në Fushë Prezë/ Arrestohet shoferi i

Pamje nga vendngjarja

TIRANË- Drejtuesi i betonieres që u bë shkak për aksidentin e rëndë me 4 viktima që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Fushë Prezë është arrestuar. Në pranga ka rënë Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Po ashtu është arrestuar edhe kushëriri i tij, që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja Valentin Krrashi, 25 vjeç dhe Danjel Koxha, 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit. Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi me iniciale S. H., 27 vjeç.

Ka qenë një patrullë e Policisë ajo që ka konstatuar aksidentin duke njoftuar zjarrfikësen e Fushë-Krujës, e cila e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve. Viktimat e aksidentit janë: Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Enejdi Laçi e kishte blerë mjetin tip ‘Benz’ me targa AB 558 MG vetëm para pak ditësh para se të ndërronte jetë në mënyrë tragjike. Mbrëmjen e djeshme, ata kishin pritur në Rinas, Enejd Laçin, i cili kthehej nga Gjermania. Sapo kanë lënë aeroportin dhe janë nisur për në banesat e tyre, por fatkeqësisht humbën jetën.

Sipas policisë, 24-vjeçari kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Ndërkohë, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues Enejdi Laçin, 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonierën, dhe mjeti i tij shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e tyre në vend.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;   

-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;

-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia./ZËRI

Burimi