
Aksident në Vlorë! Shoferi i ML-së nuk i bindet Policisë për të ndaluar, përplaset me makinën e Burgjeve dhe një tjetër

PAMJE NGA AKSIDENTI
VLORË- Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në Vlorë. Raportohet se një automjet tip “ML”, me ngjyrë të zezë, nuk i është bindur urdhrit të ndalimit nga policia dhe ka shkaktuar një aksident zinxhir.
Automjet ka përplasur disa automjete, përfshirë edhe një mjet të Policisë së Burgjeve, të cilin e ka nxjerrë nga rruga. Po ashtu Kelian Llakaj, drejtuesi i mjetit tip ML dyshohet se ka goditur edhe dy postoblloqe policie gjatë tentativës për t’u larguar, duke shkaktuar panik dhe kaos në rrugën Transballkanike, një prej zonave më të frekuentuara në qytet.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e plotë të shkaqeve të aksidentit. Drejtuesi i automjetit ML është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore./ZËRI