![4 kandidatë për kryeministër dhe 2 milionë votues, Kosova zgjedh nesër qeverinë e re](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2025/02/4-kandidate-per-kryeminister-dhe-2-milione-votues-kosova-zgjedh-neser-qeverine-e-re_67a747ae68d52.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
4 kandidatë për kryeministër dhe 2 milionë votues, Kosova zgjedh nesër qeverinë e re
Zgjedhjet në Kosovë
PRISHTINË- Kosova do të mbajë më 9 shkurt zgjedhjet parlamentare, ku mbi 2 milionë qytetarë do të zgjedhin qeverinë e re. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pejsë në zgjedhjet parlamentare, pasi vitet e fundit pjesëmarrja ka qenë e ulët. KQZ ka lajmëruar se ka marrë të gjithë masat e duhur dhe janë bërë përgatitjet që të zhvillohet normalisht procesi zgjedhor.
Kandidatët për kryeministër
Në këto zgjedhje garojnë 28 forca politike, 20 prej tyre janë parti, 5 koalicion, 2 lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndërsa kandidatët për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkon një mandat të dytë, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë fushatës zgjedhore gjuha nxitëse dhe e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë ishte e pranishme në çdo tubim të organizuar. Ndërsa partive politike iu ishte caktuar një buxhet prej 2 milionë eurosh, ndërsa pritet që bilanci të publikohet 30 ditë pas rezultateve. Por, sipas shifrave të publikuara në Facebook, kandidatët kanë shpenzuar më shumë se 200 mijë euro në sponsorizime.
Premtimet gjatë fushatës
Partitë politike e fokusuan fushatën e tyre në ndihmën për prodhuesit vendorë dhe në ankesat e tyre, so tatimi i lartë mbi vlerën e shtuar, ekonominë joformale, kamatat e larta për kredi, mungesën e infrastrukturës, jostabilitetin me energji elektrike, e të tjera. Në mesin e premtimeve përfshihen prodhimi i energjisë elektrike përmes gazit, apo edhe ndërtimi i një termocentrali të ri me thëngjill.
Çdo vit, Kosova importon mesatarisht mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard euro.
Por, pavarësisht zërave për ulje taksash dhe furnizimit me energji elektrike, 4 kandidatët pëe kryeministër kanë heshtur vetëm për një pikë të rëndësishme: Dialogu me Serbinë dhe Asosacioni i Komunave me shumicë serbe. Kurti në lidhje me këtë ka thënë se duhet të formohet, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Vota e diasporës
Nga dy milionë votues me të drejtë vote 105 mijë janë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës. Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Por dy ditë para votimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi se ka nisur një hetim ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj pasi dyshohet se është përfshirë në transportimin e paligjshëm të votave me postë të emigrantëve. KQZ njoftoi se deri më tani janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, numër ky më i vogël sesa numri i votuesve.
Votues të rinj
100 mijë qytetarë janë thirrur për të votuar për herë të parë të dielën e 9 shkurtit. Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga KQZ. Këtë vit janë 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës./ZËRI
Burimi