‘12% më pak se në 2011’/ CENSI 2023: Shqipëria ka 2.4 mln banorë

‘12% më pak se në 2011’/ CENSI 2023: Shqipëria ka 2.4 mln banorë

Foto ilustruese

TIRANË- Popullsia është tkurrur në Shqipëri! Këtë e ka zbuluar Censi i vitit 2023. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli bëri publike aktualisht të gjitha të dhënat e mbledhura nga Censi në Shqipëri. Dhuli bëri me dije se në Shqipëri ka rreth 2.4 milionë banorë, ose më konkretisht 2 milionë e 412 mijë e 113 banorë. Në krahasim me Censin e bërë në vitin 2011, Shqipëria ka 409.831 mijë banorë më pak, ose e dhënë ndryshe, 12% banorë më pak brenda 2 viteve. Mesatarja e vendit është 3.2 banorë për familje. Pra familja shqiptare po kufizohet në të dy prindërit dhe mesatarisht një fëmijë.
Bazuar në të dhënat paraprake të Censit të Popullsisë dhe Banesave, i mbajtur në vitin 2011, popullsia e Shqipërisë ishte 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censi i bërë në vitin 2001 ishte 3,069,275. Por ndërkohë që numri i banorëve u tkurr me rreth 400 mijë persona, sipas rezultateve të Censit, stoku i banesave është rritur me gati 400 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011. Kjo pasi në Censit e këtij viti u regjistruan 1,082,529 banesa, 57% më shumë se në vitin 2011 ku rezultuan 686,405 banesa.
“Censi i vitit 2023 solli shumë inovacione, me një sistem për monitorim në kohë të cilësisë të dhënave…Partnerët tanë përmes mbështetjes, bënë të mundur që ky proces të zhvillohej me të gjitha standardet. Komisionet e censit në nivel bashkie lehtësuan procesin duke ndihmuar në ekzekutimin e fazave të ndryshme të këtij zinxhiri aktivitetesh. Janë 2, 412, 113 banorë, të cilët përbejnë 755 950 familje me madhësi mestarë 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë, 1,082,529 banesa të zakonshme,”-tha në fjalën e saj Dhuli.
Por deri më tani, vetëm të dhënat e popullsisë janë bërë me dije, pasi ende pritet që të publikohen më shumë detaje nga “marrja në pyetje” e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. 
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 nisi punën më 18 shtator dhe ishte parashikuar të zgjaste 6 javë, por që u shty deri më 15 nëntor pasi koha e caktuar fillmisht ishte e pamjaftueshme. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit./ZËRI
Burimi