1001 zullumet e Kurum në Shqipëri, nga ndotja te skandali me mbetjet, si e “rrënuan” turqit uzinën e Elbasanit

1001 zullumet e Kurum në Shqipëri, nga ndotja te skandali me mbetjet, si e “rrënuan” turqit uzinën e Elbasanit

Kurum

TIRANË- Kompania “Kurum” është vënë në shënjestër të akuzave për eksportimin e dy anijeve me përkatësisht 60 dhe 40 kontejnerë mbetje të rrezikshme, më konkretisht pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, drejt Tajlandës dhe aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Durrësit. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara. Skandali nisi me flakjen në rrugë të 500 punëtorëve me argumentin se janë rritur kostot e prodhimit. Kështu nga 1 gushti, firma ndaloi prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin.
Mbetjet toksike u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan dhe kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Mbetjet toksike u shitën tek kompania ‘Sokolaj’ dhe më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë. Më 4 korrik 2024, anija e parë mbërriti në Tajlandë, por kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkese kishin brenda kontenierëve në Durrës. As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.
Kështu që 40 kontenierët që ndodheshin në anijen e parë do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës. Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, ndërsa në fund të shtatorit, pritet që të dyja anijet të mbërrijnë në Shqipëri.

Por kur erdhi në Shqipëri Kompania Holding dhe cili ishte itinerari i 25 viteve aktivitet?
Në vitin 1998, Kurum International u regjistrua me vendim të Gjykatës Tiranë me subjekt “import/eksport me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshëm industrial”, me përfaqësues ligjor Hasmet Kurum dhe me capital themeltar 100 mijë lekë.
Në të njëjtin vit, kompania merr në përdorim Uzinat e Çelikut dhe të Petëzimit në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, përmes një koncensioni me qeverinë shqiptare që në atë kohë drejtohej nga kryeministrin Fatos Nano.
Qeveria, në mbledhjen e saj të radhës vendosi dhënien me koncesion të fabrikës së Oksigjenit, e cila deri në Tetor të vitit 2002, ishte furnizuesja kryesore e spitaleve dhe subjekteve private. Si pasojë e problemeve financiare, fabrika e Oksigjenit në Elbasan, ndërpreu aktivitetin e saj, duke krijuar probleme në furnizimin me oksigjen të spitaleve. Projekti i prezantuar nga shoqëria Kurum, për rehabilitimin e fabrikës së Oksigjenit synonte rritjen e prodhimit të çelikut, me 150 ton më shumë investime.
Në vitin 2006, privatizimi i ndërmarrjeve të ish-çelikut të partisë që u konsiderua si shpëtim për gjigantin e furrnaltave e të tymnajës mbytëse mbi Elbasan, Metalurgjiku nisi t’i ngjante gjithnjë e më tepër një gërmadhe. Specialistë dhe drejtues të Metalurgjikut kanë hartuar me dhjetëra projekte për transformimin e fabrikave dhe uzinave të tij në potenciale prodhuese, por këto mbetën vetëm në letër. Fabrika e oksigjenit në këtë sektor funksiononte në vitin 2006 vetëm me 12% të kapacitetit dhe shtimi i prodhimit të saj konsiderohej si mjaft i dobishëm, por specialistët e firmës turke, “Kurum” shpreheshin skeptikë për realizimin për shkak të amortizimit të fabrikës. Tashmë krenaria e dikurshme, vënia në funksion për grumbullimin e plehrave të qytetit të një sipërfaqe prej 53 mijë metrash katrorë, të përftuar nga procesi i prishjes dhe pastrimit të ambienteve, ishte kthyer në një truall bosh që nuk përdorej më as për tokë bujqësore për shkak të ndotjes.
Në vitin 2007, Kurum Gëlqere fillon të ushtrojë aktivitetin nën strukturën e Kurum International.
Në vitin 2009, në 10-vjetorin e fillimit të aktivitetit të Kurum International, përfundoi dhe proçesi i privatizimit të Kompleksit të Prodhimit të Çelikut në Elbasan.
Në vitin 2010 u bë bashkimi i shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” Sh.a dhe shoqerise “KURUM GELQERE” sh.a.
Vlera e Kapitalit ishte 700.100.000 lekë dhe u bë 728.800.000 lekë.
Në të njëjtin vit u shtua administrator Koray Zeytinoglu, ndërkohë që u largua administratori Hasmet Kurum.
Në vitin 2011, Kurum International vuri në punë impiantin e përpunimit të skrapit.
Në vitin 2012, e depozitua vendimi i Asamblesë së aksionarëve që vendosën rë rrisin kapitalin themeltar të shoqërisë nëpërmjet përfshirjes së fitimeve të mbartura e të pashpërndara. Për të përgatitur këtë raport u caktua shoqëria audituese “ATK Auditing” shpk me ekspert kontabel te autorizuar z.Andon Kristo, i njëjti ekspert kontabël që ka pasur më herët në dorë bilancet e të njëjtës kompani.
Në të njëjtin vit, Kurum International filloi proçedurat për privatizimin e katër HEC-eve (Ulëz & Shkopet dhe Bistrica 1 & 2) nga shteti shqiptar. 
Në vitin 2013, me përdorimin e HEC-eve, Fabrika e Prodhimit të Çeliqeve u kthye në një impiant të integruar, i cili prodhon vetë energjinë e nevojshme për aktivitetin e tij. Por tatëpjeta zyrtarisht nisi në vitin 2015, kur Kurum nisi mbylljen e adresave dytësore,duke ngushtuar kështu aktivitetin.
Kjo ishte dhe një parapërgatitje për të shpallur falimentin!
Pak muaj përpara deklarimit për falimentim (26.02.2016) të Albanian Kurum International në pronësi z. Hasmet Bedii Kurum, kompania serbe NOVOMETAL në pronësi të shtetasit turk z. Cagatay Uraz, mori pronësinë e kompanisë shqiptare ALBAMETAL Sh.p.k., në atë kohë një lojtar i nivelit të II në tregun e skrapit dhe hekurit për ndërtim.
Uraz ishte një i afërm i Hasmet Kurum.
Pra, Kurumi iu shit vetë pronarit të Kurum. Zyrtarisht u deklarua se kjo gjë erdhi pasi Kurum Intl. hyri në një Marrëveshje Kredie/Tregtare me Albametal Sh.p.k. që arrinte shumën prej 25 mln €.
Këtu nisi dhe përplasja me shtetit shqiptar që përfundoi në Arbitrazh.
Së fundmi Shqipëria ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar përballjen me kompaninë “Kurum”, e cila ka pasur koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit. Kompania kërkonte 100 milionë euro dëmshpërblim, pas pretendimit të kompanisë turke për dëmin e shkaktuar nga mbyllja e parakohshme e koncesionit që duhet të zgjaste 35 vjet, por që mbeti aktiv vetëm 9 vite.
Tashmë, qeveria tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e Portit të Durrësit në port turistik, ndërsa ai tregtar do të zhvendoset në Porto Romano.
Më datë 11.12.2018, me anë të Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u mbyll Procedura e falimentit të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” si dhe u hartua miratimi i Planit të Riorganizimit të shoqërisë.
Konkretisht u vendos që:
-Debitori “KURUM INTERNATIONAL” SH.A. të vazhdojë të shlyejë detyrimet ndaj të gjithë kreditorëve.
-Ngarkohet Mbikqyrësja e zbatimit të Planit të Riorganizimit Znj. Lindita Kikino.
-Statusi i shoqërisë kaloi nga “Shoqëri në procedurë falimenti” në “Aktiv”.Puna vijoi dhe në vitin 2022, situata mori një tjetër kthesë. Më datë 04.07.2022 lëshuar nga Përmbarues Gjyqësor Privat Dorian Skëndi, u urdhërua vendosja e mases se sekuestros konservative mbi kuotat e debitorit, shoqeria “KURUM INTERNATIONAL” SH.A. me administrator Erdal Demir.
Ndërsa më datë 15.07.2022 lëshuar nga Përmbarues Gjyqësor Privat Dorian Skëndi, u urdhërua heqja e masës së sekuestros konservative mbi kuotat e debitorit, shoqëria “KURUM INTERNATIONAL”.
Me datë 09.01.2024, detyrimi është likujduar tërësisht.
Skandalet e kompanisë Kurum në Shqipëri
Në nëntor të vitit 2023, qyteti i Elbasanit u ndot nga djegia e pikës së skrapit të Kurum në Elbasan dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm. Shkelja e kushteve në punë, pakujdesia, apo më keq akoma, djegia e qëllimshme e mbetjeve, kanë shkaktuar prej kohësh ndotje masive në Elbasan, duke e shndërruar në një prej qyteteve me ajrin më të papastër, që rrjedhimisht bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.
Një rast ka qenë më i rëndi. Më 28 nëntor 2018, e njëjta zonë u përfshi nga një zjarr i fuqishëm dhe konkretisht në repartin e petëzimit vdiq një punëtor.
Në vitin 2015, kompania turke Kurum shkurtoi 200 vende pune gjë që solli revoltë të sindikatave dhe punëtorëve.
Më 1 qershor të vitit 2021 u përsërit e njëjta gjë, pasi u shkurtuan 20 punonjës dhe kolegët e tyre dolën në protestë.
Tashmë prokuroria kërkon nga Kurum çdo shkresë që disponon për shitjen e mbetjeve te “Sokolaj shpk” apo subjekte të tjera, që nga viti 2020 e deri në vitin 2024. Javën e ardhshme pritet që të merren sërish në pyetje administratorët e kompanisë Sokolaj shpk, ata të KURUM dhe autoritetet e Doganave dhe Portit të Durrësit. 
Kurum duhet të japë llogari edhe për mbylljen e uzinës së çelikut në Elbasan duke flakur në rrugë 500 punonjës, të cilët janë të pambrojtur përballë turqve./ZËRI
Burimi