
Tragjedia në Koçan/ Tre persona në gjendje të rëndë po trajtohen në Selanik! Vizitohen nga politikanët maqedonas dhe grekë
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timco Mucunski dhe ai i Shëndetësisë, Arben Taravari, të shoqëruar nga zv.ministri i Jashtëm i Greqisë, Tassos Hatzivasiliou dhe ai i Brendshëm, Konstantinos Giulekas, vizituan tre të plagosur në ngjarjen tragjike të Koçanit, të cilët trajtohen në gjendje kritike në spitalin Papanikolaou të Selanikut.
Nga burimet spitalore, bëhet me dije se janë dy vajza, 19 dhe 25 vjeç dhe një djalë 26 vjeç, të cilët kanë djegie në 15-25% të trupit, kryesisht në fytyrë dhe duar, por dëmtimet më të rënda i kanë në mushkëri dhe rrugët e frymëmarrjes.
“Siç deklaroi drejtoresha e njësisë së djegieve, kirurgia plastike Sofia Papadopoulou ‘nuk mund të themi se i kanë shpëtuar rrezikut, sepse përveçse kanë djegie në trup në një masë të vogël – kanë edhe probleme nga tymi që kanë thithur, pra dëmtim të mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes’, dhe kjo është ajo që parashikojmë se mund të komplikojë gjendjen e tyre dhe rrjedhën e shëndetit të tyre, ndoshta afatgjatë. Ata kanë nevojë për kujdes intensiv. Dy prej tyre do të operohen sërish dhe në ditët në vijim do të operohet edhe i treti”, theksoi Papadopoulou.
Më pas ministrat kanë shkuar edhe në spitalin ushtarak 424 të Selanikut, ku po trajtohen edhe dy të lënduar të tjerë nga tragjedia e ditës së diel.
“Kam ardhur sot këtu duke përfaqësuar një popull të pikëlluar që është në tronditje të thellë nga ngjarjet e ndodhura në qytetin e Koçanit. Ky ishte momenti më tragjik në historinë e kombit tim, një moment që ka të ngjarë të mbetet në kujtesën tonë kolektive për pjesën tjetër të jetës. Por ajo që do të mbetet në kujtesën tonë kolektive dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë, është solidariteti që kemi marrë”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se pacientët e parë që u larguan nga vendi i tij ishin ata që erdhën në Selanik.
Gjithashtu, ministri ka përcjellë edhe falënderimet e prindërve të të plagosurve dhe mirënjohjen e tyre për mjekët, stafin mjekësor për kujdesin e shkëlqyer që po marrin fëmijët e tyre.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Jashtëm grek, Tasos Hatzivasiliou, duke folur për gazetarët, tha se Greqia dhe qeveria greke që në momentin e parë kur u mësua aksidenti, qëndruan me humanizëm dhe solidaritet me popullin e Maqedonisë së Veriut. “Falë koordinimit të autoriteteve greke dhe bashkëpunimit të Ministrive të Jashtme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Civile, që në momentin e parë pacientët u transferuan këtu në Selanik, tre prej tyre në Spitalin Papanikolaou, dy në Spitalin 424 dhe mbrëmjen e djeshme tre të plagosur të tjerë u transferuan në Spitalin Ushtarak 401 të Athinës“, ka thënë ai.
Top Channel
Burimi