
Starmer: Putini nuk mund të lejohet të luajë lojëra mbi armëpushimin e Ukrainës
Keir Starmer ka paralajmëruar se Vladimir Putin nuk mund të lejohet të “luajë lojëra” me mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë, ndërsa përgatitej të prezantonte propozime për një marrëveshje paqeje në një koalicion prej rreth 25 liderësh botërorë.
Kryeministri i Britanisë do të drejtojë një takim të shtunën të “koalicionit të gatshëm”, një grup shtetesh që kanë rënë dakord të ndihmojnë për të mbajtur paqen në Ukrainë. Ai do të kërkojë të shtojë presion mbi presidentin rus për të “ardhur në tryezë” dhe për të “ndaluar sulmet barbare ndaj Ukrainës” pasi Kievi ra dakord këtë javë për një armëpushim të menjëhershëm për 30 ditë.
Shtetet europiane, Komisioni Evropian, NATO, Kanadaja, Ukraina, Australia dhe Zelanda e Re pritet të marrin pjesë në këtë takim virtual dhe të japin përditësime mbi ndihmën që mund të ofrojnë për forcimin e një marrëveshjeje paqeje.
Kjo vjen pasi Putin e lavdëroi Donald Trump-in për “bërjen e gjithçkaje” për të përmirësuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit, pas deklaratës së Trump-it se SHBA kanë pasur “biseda shumë të mira dhe produktive” me Putinin në ditët e fundit.
Putin tha në një takim me drejtuesit e sigurisë se përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA ishte tani në agjendë. “Ne e dimë se administrata e re e udhëhequr nga presidenti Trump po bën gjithçka për të rikthyer të paktën diçka nga ajo që u shkatërrua praktikisht nga administrata e mëparshme amerikane,” tha ai.
Top Channel
Burimi