
SHBA, gjykatësi bllokon veprimet për mbylljen e USAID-it: Musk po shkel Kushtetutën
Një gjykatës federal në SHBA i ka bllokuar administratës Trump ndërmarrjen e çdo hapi të mëtejshëm drejt mbylljes së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Në vendimin e tij, gjykatësi Theodore Chuang thekson se përpjekjet e Departamentit për Efiçencën e Qeverisë (Doge), për të shpërbërë agjencinë ka të ngjarë të shkelin kushtetutën e SHBA “në shumë mënyra”.
Chuang urdhëroi që DOGE i drejtuar nga aleati i Trump, Elon Musk, të rikthejë qasjen tek kompjuterët dhe sistemet e pagesave të USAID-it për punonjësit me kontratë të agjencisë, përfshirë ata që u pezulluan në fund të shkurtit. Chuang po ashtu del në përfundimin se largimi i punonjësve të USAID-it duhet të ndalet, por nuk urdhëroi rikthimin e punonjësve të pezulluar.
Vendimi erdhi në kuadrin e një padite të ngritur nga 26 punonjës të USAID-it, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Ata pretendojnë në dosjen gjyqësore se Musk po ndjek “një model të parashikueshëm dhe të pamatur ” në çmontimin e departamenteve të qeverisë amerikane.
Në ankesën e depozituar, avokatët e punonjësve argumentojnë se pushteti i Musk është i paligjshëm – pasi ai nuk është nominuar zyrtarisht në një post qeveritar dhe as nuk është konfirmuar nga Senati i SHBA – ndërsa kërkohet po ashtu që aktivitetet e Doge të ndërpriten dhe të anulohen.
Administrata Trump anuloi më herët mbi 80 për qind të programeve të USAID pas një procesi rishikimi gjashtë-javor. Mijëra punonjës të USAID-it u pezulluan, apo u pushuan nga puna, po kështu u ndërprenë kontrata. Shumica e atyre që janë pezulluar, nuk pritet të rikthehen në detyrë.
Top Channel
Burimi