Sfidat e ekzekutivit dhe mbështetja e reformës nga SHBA, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese takim me kolegët nga Utah
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga kryetarja Holta Zaçaj, ka zhvilluar një takim me Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtarin Robert Shelby nga Gjykata e Qarkut të Utah dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.
Prokurorët dhe gjyqtarët e Utah po zhvillojnë një vizitë pune 5 ditore në Shqipëri. Delegacioni shoqërohej në këtë takim nga David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Mary Kate Butterfield dhe zoti Backman, këshilltarë ligjorë, rezidentë në Ambasadë.
Në një njoftim për shtyp, Gjykata Kushtetuese thotë se gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me sistemet gjyqësore përkatëse, duke u fokusuar në sfidat me të cilat përballen gjyqtarët gjatë punës së tyre, për ta ushtruar këtë funksion me profesionalizëm dhe integritet të lartë, në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Kryetarja Zaçaj shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për partneritetin e vendosur me SHBA-në si dhe vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të këtij partneriteti në të ardhmen, duke u fokusuar në mbështetjen e dhënë për zhvillimin dhe progresin e reformës gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Top Channel
Burimi