Realizuan procedura fiktive për blerjen e mallrave të ndërtimit për Bashkinë Devoll, por nuk kryen punime, Prokuroria kërkon pezullimin e 4 zyrtarëve
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë kërkoi pezullimin nga detyra të katër zyrtarëve të Bashkisë së Devollit, shtetasit G.K., A.C., K.M., dhe E.M. nën hetim për Veprat Penale ‘Shpërdorim Detyre’ dhe Falsifikim të dokumenteve’.
Në kuadër të hetimeve rezultoi se personat në fjalë kanë kryer procedurën e prokurimit me objekt blerje mallra materiale ndërtimi për nevojat e Bashkisë. Por pasi është shpallur fituesi ndaj të kallëzuarve është ngritur akuza se kanë kryer në mënyrë fiktive si procedurën e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve, ashtu edhe daljen e tyre nga magazinimi dhe përdorimi për punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë. Kallëzuesi pretendon se nuk është blerë asnjë mall.
Gjatë hetimeve të prokurorisë, nga administrimi i pamjeve filmike për periudhën e hetimit nuk shihen hyrje-dalje ngarkesa me materiale ndërtimi. Në vijim të konkluzioneve të nxjerra nga ekspertët, në rrugët rurale të fshatit nuk rezulton të ketë shtresa të reja çakulli apo të ndonjë ndërtimi.
Nga hetimet e kryera, Prokuroria arriti në konkluzionin se punonjësit e bashkisë së Devollit, shtetasit:
G.K. – Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative;
A.C. – Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve Publike;
K.M. – Përgjegjës në Sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike; dhe
E.M. – Magazinier në Sektorin e Menaxhimit financiar.
kanë konsumuar veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe Falsifikimi i dokumenteve’.
Hetimi provoi se akti i marrjes në dorëzim të materialeve më 21.09.2022 nuk pasqyron dorëzimin faktik të të gjitha materialeve. Në këtë kuptim, sipas organit të akuzës personat duhet të mbajnë përgjegjësi penale për veprat e mësipërme. Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, gjykata vendosi pezullimin nga detyra të punonjësve të bashkisë.
Top Channel
Burimi