Propozimet për Reformën Zgjedhore, dështon grupi i dialogut! PS çon në Kuvend draftin me ndryshime
Ndryshimi i partnerit politik prodhoi rezultat të njëjtë për reformën zgjedhore, dështim!
Socialistët iu sos durimi edhe me demokratët e Sali Berishës dhe në mungesë të një konsensusi në grupin e dialogut vendosën të hedhin një hap të ri në Kuvend duke depozituar propozimet e tyre në Kodin Elektoral bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe herësin brenda listës. Mazhoranca kërkon që emigrantët të votojnë me postë duke ia lënë në dorë KQZ regjistrimin.
“Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit”.
Diaspora nuk do ketë mandate të dedikuara, por vota e tyre do të përllogaritet në qarku ku ata kanë pasur vendbanimin e fundit ne Shqipëri.
“Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria”.
Socialistët propozojnë edhe një formulë te re për herësin brenda listës duke e ulur pragun e votave që një kandidat i duhen të kalojë nga lista humbëse në atë fituese. Nga 10 mijë vota për të thyer vijën e kuqe, sipas socialistëve nevojiten vetëm 7 mijë vota.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyes më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota”.
Nga shpërndarja e mandateve përjashtohen partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi, ndërkohë kryetarëve të partive iu ndalohet kandidimi në më shumë se 1 qark. Menjëherë pasi propozimet u bënë publike nga radhët e demokratëve erdhi edhe reagimi i pare.
“Propozimi i Partisë Socialiste depozituar në Kuvend i heq të drejtën e votës miliona qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, mbyll listat dhe ndalon koalicionet!”, thotë Ervin Salianji.
Për ndryshimin e kodit socialisteve i duhen 84 vota të cilët të vetëm nuk i kanë, ndaj të enjten mazhroanca edhe pse vendosi të eci e vetme la një një derë të hapur për negociata.
“Kush të dojë le të vijë të negociojë deri në ditën e fundit, me qëllim që në seancën e fundit të kemi një votim për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, vetëm për këto dy pika, që na detyron Kushtetuesja”, deklaronte Gjiknuri.
Top Channel
Burimi