
Përfundon autopsia e 59 viktimave të zjarrit në Koçan/ Ceremonia mortore do të mbahet të enjten! 173 të lënduar ndodhen në spital
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot pasdite ka njoftuar se janë identifikuar të 59 të vdekurit nga ngjarja tragjike në Koçan dhe se ka përfunduar autopsia.
Siç theksoi ai, nga zjarri kanë mbetur të plagosur 196 persona, 20 prej të cilëve fëmijë.
“Lidhur me 59 personat e vdekur, theksoj se të gjithë janë identifikuar dhe për të gjithë autopsia ka përfunduar më 18 mars 2025. Në zjarr janë lënduar 196 persona, prej të cilëve 20 fëmijë”, tha Toshkovski në konferencën e sotme për media.
Ai informoi se aktualisht 93 të lënduar po marrin trajtim në spitalet e Shkupit, ndërsa 80 janë transportuar jashtë vendit, përkatësisht në Serbi, Bullgari, Turqi, Greqi, Austri, Lituani, Slloveni, Hungari dhe Kroaci.
Drejtori i Komisionit Qendror Ushtarak, Stojançe Angelov, në një konferencë për media ka bërë të ditur se varrimi i 59 të vrarëve në Koçan do të bëhet të enjten, më 20 mars, ndërsa ora e saktë do të bëhet e ditur më vonë.
“Në varrim do të marrin pjesë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Shenjtëria e tij Stefan, si dhe disa peshkopë nga Sinodi. Kisha po bën gjithçka që këta fëmijë të largohen në mënyrë sa më dinjitoze”, tha Angelov sipas medias vendase.
Stojançe Angelov tha se është siguruar gjithçka që është e nevojshme për organizimin e varrimit.
Top Channel
Burimi