Më shumë vaj këtë sezon! Rritet prodhimi dhe sipërfaqet e mbjella me rrënjë ulliri në Fier

Më shumë vaj këtë sezon! Rritet prodhimi dhe sipërfaqet e mbjella me rrënjë ulliri në Fier

Në zonën e Cakranit, në Fier, e njohur për kultivimin e ullirit, fermerët sapo kanë nisur vjeljen dhe grumbullimin për të prodhuar vajin më pas.

Sipas përpunuesve, pritshmëritë këtë vit janë të mira, pasi edhe prodhimi në këtë sezon ka qenë i mbarë.
“Mendojmë që ky vit do të jetë shumë i mbarë dhe do të sjellë të ardhura të mira për fermerët e gjithë zonës. Kemi një rritje të sipërfaqes së kultivimit të ullirit në Cakran dhe mendojmë se janë mbi 600 mijë rrënjë ullinj. Kjo është rezultat i kthimit të njerëzve tek puna në tokë dhe mbjellja e ullirit. Gjithashtu, në zonë ka investime të reja për përpunimin e ullirit, ku janë shtuar dy fabrika të reja, pasi përveç zonës së Cakranit, këtu përpunohet edhe ulliri i fshatrave përreth”, tha Fredi Korcari, Administrator i Njësisë Administrative Cakran.

Në zonën e Cakranit ka një fond prej më shumë se 600 mijë rrënjë ullinj dhe 11 fabrika vaji për përpunimin e ullirit. Edhe pse vitin e kaluar prodhimi ishte i pakët, sasia e prodhimit arriti mbi 50 mijë kuintal ullinj, duke dhënë një sasi të konsiderueshme vaj ulliri, ku pjesa më e madhe është eksportuar.
Çmimi i lartë në tregun botëror të vajit të ullirit vitet e fundit ka rritur kërkesat për eksport, duke ndikuar kështu në rritjen e çmimeve. Për këtë arsye, fermerët e kësaj zone i janë përkushtuar më shumë shërbimeve ndaj pemëve shekullore dhe kultivimit të varieteteve të ndryshme, duke zgjeruar ndjeshëm edhe sipërfaqet me ullinj në këtë zonë.

Top Channel
Burimi