
Komisionerja Kos në Elbasan për Ditën e Verës: Kam dëgjuar se veroret sjellin fat! Vura dy sot, një për ju, një për BE-në
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ndodhet në Elbasan për festën e Ditës së Verës.
Në një prononcim për mediat, Kos ka shprehur kënaqësinë e saj për mundësinë e vizitës, duke e cilësuar si një moment të veçantë, sidomos pasi ka pasur mundësinë të shohë përpjekjet që po bëhen për përmirësimin e kushteve të jetesës së disa prej grupeve më të cenueshme të shoqërisë.
“Ka qenë kënaqësi e veçantë për mua, jo vetëm që kam ardhur në Ditën e Verës, por edhe për mundësinë që pata të vizitoj projekte kaq të rëndësishme që financohen nga Bashkimi Europian”, tha ajo.
Ajo shtoi se është veçanërisht simbolike që ndodhi në Ditën e Verës, një festë e rëndësishme për qytetin e Elbasanit, që shënon fillimin e një sezoni të ri dhe të begatë për shqiptarët.
Në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kos theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme, por ka ende punë për të bërë.
Ajo shprehu optimizëm për një mundësi të shpejtë anëtarësimi në BE, duke shtuar se nëse ritmi i reformave vazhdon si deri tani, mundësia që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian është shumë afër.
“Nëse kjo ecuri vazhdon, Shqipëria mund të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2027”, u shpreh Kos.
Komisionerja Kos ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë për arritjet e tyre dhe ka shprehur besimin se Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara me të njëjtën këmbëngulje dhe pasion, duke kontribuar për një të ardhme më të mirë dhe integrimin në BE.
Në përmbyllje, Kos shtoi se, siç thonë, “veroret sjellin fat”, dhe shprehu dëshirën për të sjellë më shumë fat për Shqipërinë dhe për Bashkimin Europian, duke vendosur dy verore, një për Shqipërinë dhe një për BE-në, si një simbol i fatit të përbashkët dhe të suksesshëm.
“Shqipëria po bën një punë shumë të mirë, ka ende shumë reforma për t’u bërë por nëse bëhen, në fund të 2027 do të jetë edhe fundi i procesit. BE është shtëpia juaj, tani duhet të bëni detyrat, por së shpejti shpresoj që pas punës së bërë me pasion, BE të mos ketë 27 vende anëtare por 28. Kam dëgjuar se veroret sjellin fat, kam vënë dy sot, një për ju dhe një për BE, që të jenë fatsjellëse”, tha Kos.
Gjatë qëndrimit të saj, Kos ka vizituar një punishte sociale që mbështet gratë me problematika sociale dhe një qendër për gratë e dhunuara, të cilat financohen nga Bashkimi Europian.
“Në Elbasan takova gra të guximshme që po rindërtojnë jetën e tyre me mbështetje nga BE-ja.Në një punishte për tapicerinë, ato fitojnë aftësi dhe liri financiare. Fola me mbijetuese të dhunës në familje që po kurojnë të kaluarën e tyre me ndihmën e BE-së dhe @WVAlbania. Ne qëndrojmë pranë tyre për komunitete më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse”, shkruan Kos.
In Elbasan 🇦🇱 I met brave women rebuilding their lives with EU support.
At a carpet workshop, they gain skills & financial freedom. I spoke to survivors of domestic violence overcoming their past with EU & @WVAlbania help
We stand by them for safer, more inclusive communities pic.twitter.com/B24zWNiOY8
— Marta Kos (@MartaKosEU) March 14, 2025
Top Channel
Burimi