
Katia Bano: Djali im polic Klenti në varr, vrasësi sot i lirë në Angli. Ia ekzekutoi në 2000 banda e Aldo Bares
Ky është Maksim Çela në ish Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë gjatë procesit gjyqësor, kur u përball me akuza për vrasje dhe akte terroriste si pjesë e grupit të strukturuar kriminal udhëhequr prej Aldo Bares.
Mbërritja ilegalisht në Angli e Maksim Çelës anëtarit të bandës famëkeqe të Lushnjës, ka ri sjelle pas 25 vitesh, dimensionin brutal të vrasjes të oficerit të policisë Klenti Bano.
Gazeta ‘The Sun’ e cila zbuloi futjen në Angli me pasaportë false nga Spanja të Maksim Çelës në 2023, e më pas të kërkonte azil me argumentin se në Shqipëri i rrezikohej jeta, ka mundur të intervistojë nënën e Klenti Banos.
Për herë të parë pas vrasjes të djalit më 14 Prill 2000 në qytetin e Lushnjës, organizuar prej Enver Dondollakut, Maksim Çelës dhe Dritan Vilës, nëna e Klenti Banos, ish mësuesja e matematikës, Katia Bano ka thyer heshtjen.
Në rrëfimin e saj të parë për The Sun te cilit i referohet Top Channel, 77-vjeçarja Bano shprehet se “vrasja e djalit Klenti Bano ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit”.
E pyetur për mbërritjen në Angli të vrasësit të djalit të saj ajo ka bërë këtë pohim për ‘The Sun’.
“Jam e habitur sesi Maksim Çela arriti të hyjë në Britaninë e Madhe dhe që vrasësi i djalit tim është i lirë tani atje. Ai e meritonte burgun e përjetshëm për vrasjen e një njeriu të pafajshëm që po i shërbente shtetit dhe nuk e kuptoj pse tolerohet në Britani. Me të vërtetë më shqetëson kur e di se ai ka një jetë të re atje dhe djali im prehet në varrin e tij”, shprehet 77-vjeçarja.
Sipas The Sun do të jetë një gjykatë emigracioni në Londër e cila më 31 Mars do të shqyrtojë kërkesën për azil të Masksim Çelës i cili pas vuajtjes së dënimin në Shqipëri shkoi në Britaninë e Madhe.
Top Channel
Burimi