
Grisi Kuranin në muajin e shenjtë të Ramazanit, ja sa vite burg rrezikon autori
Veprim provokues dhe fyes po konsiderohet grisja e librit të shenjët të Kuranit në Prizren.
Personi që bëri këtë veprim gjatë së hënës së 17 marsit, po vazhdon të qëndrojë në paraburgim për kryerjen e veprës penale nxitje të urrejtjes dhe përçarje. Ndërkohë, avokati i Bashkësisë Islame në Prizren, kërkon hetim më të detajuar të rastit.
Sipas Policisë, i dyshuari ka të kaluar kriminale për vrasje, dhunë në familje dhe kanosje dhe gjithashtu ka pranuar trajtim të detyrueshëm.
Rasti ndodhi në kohën kur besimtarët myslimanë në Prizren, po përfundonin faljen e drekës, ku i dyshuari në qendër të këtij qyteti grisi librin e shenjtë të fesë islame, Kuranin.
Avokati i autorizuar nga Bashkësia Islame në Prizren, Gent Gjini ka thënë për KosovaPress, se rasti i ndodhur në Prizren nuk është fenomen i njohur që ndodh në trevat shqiptare. Megjithatë, Prokuroria Speciale ka reaguar dhe i dyshuari është në paraburgim.
“Janë edhe kamerat, pamjet ku në qendër të qytetit, në muajin e shenjët të Ramazanit, personi e merr guximin dhe e gris Kuranin. Unë dyshoj se ne nuk duhet të ndalemi se personi ka të kaluar kriminale dhe ka probleme mendore sepse çështja është më komplekse dhe duhet të hetohet në pista të ndryshme, pasi duhet të shihet rezultati nga vend bastisja e shtëpisë së tij, apo te telefonit nëse ka ndonjë mesazh që mos është nxitur nga dikush, andaj prokuroria duhet ta kryej punën e vet”, tha ai.
Gjini thotë se po hulumton edhe te vendet skandinave, ku ky fenomen, sipas tij, është në rritje por edhe studimet janë më profesionale dhe shikohet çështja në pista dhe forma të tjera.
Sipas tij, në Kosovë ky rast është i dënueshëm dhe ka të bëjë me veprën penale nxitje e urrejtjes dhe përçarje fetare.
“Ligjet e Kosovës janë goxha të dënueshme, është një vepër që ka një përgjegjësi të madhe penale sepse është bërë një përçarje fetare, duke ditur që jemi në muajin e shenjët të Ramazanit dhe Kosova ka një numër të madh të besimtarëve të fesë islame. Këtu e kanë pritur shumë keq dhe janë tronditur, domethënë vepra është e dënueshme dhe parashihet me burgim deri në 8 vjet”, tha ai.
Veprimet e tij që i bëri në afërsi të një xhamie, e pranë teqesë, u regjistruan nga kamerat e sigurisë të një biznesi, e që pronari vendosi t’i shpërndajë në rrjete sociale.
Ndërkohë, drejtues fetarë në Prizren kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët të kursehen nga veprimet e tilla, që mund të nxisin urrejtje e tensione.
Top Channel
Burimi