Aksioni në veri të Kosovës/ Paraburgim për tetë persona, mes tyre një polic! Dyshohen për kontrabandë armësh

Aksioni në veri të Kosovës/ Paraburgim për tetë persona, mes tyre një polic! Dyshohen për kontrabandë armësh

Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha se i ka kërkuar Gjykatës të caktojë masën e paraburgimit për tetë persona të arrestuar një ditë më parë, nën dyshime për kontrabandë me armë.

Më 19 mars, autoritetet e sigurisë zhvilluan një aksion në 21 vende në Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq, ku arrestuan 16 persona dhe konfiskuan armë e municione.
Seanca lidhur me kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit ka nisur në orën 13:00 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.
Prokuroria tha se për të dyshuarit, B.H, I.P dhe O.B, kërkon paraburgim pasi ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “detyrim” dhe “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbimi, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse”.
Ndërkaq, A.S, T.R, A.B, Sh.S dhe NR, po ashtu dyshohen për veprën që ka të bëjë me importin, eksportin, prodhimin e shitjen e paautorizuar të armëve. Policia deklaroi se aksioni i 19 marsit u krye pas hetimeve disamujore.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, më 19 mars tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e të arrestuarve është dhe një zyrtar policor, i cili është pezulluar nga puna.
“Polici është pezulluar përkohësisht gjatë arrestimit, deri në përfundimin e hetimeve. Nëse është i pafajshëm, do të kthehet në punë”, deklaroi ai.
Radio Evropa e Lirë raporton se polici i arrestuar është nga radhët e komunitetit serb. Autoritetet e sigurisë nuk kanë dhënë hollësi se nga cilat vende apo në cilat shtete mund të kenë importuar dhe eksportuar të dyshuarit.
Edhe më herët, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.

Top Channel
Burimi