Sylvinho: Ishim në ‘grupin e ferrit’, largohemi me kokën lart nga Europiani
Sylvinho mundohet të shohë gjysmën e gotës plot, pas eliminimit nga “Euro 2024”, me vetëm një pikë të grumbulluar në grupin B. Megjithatë, duke ditur kundërshtarët tanë si Italia, Spanja dhe Kroacia, në të ashtuquajturin me të drejtë “grupi i vdekjes”, meriton të evidentohet paraqitja dinjitoze.
Pas disfatës minimale me Spanjën, trajneri brazilian u shpreh: “Sigurisht që largohemi me kokën lart. Ishim në ‘grupin e ferrit’, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por kemi bërë mirë në të tria ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund.
Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Kemi pasur 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tria ndeshjet, duke luftuar deri në sekondën e fundit për të mos u mundur.
E ardhmja? Është ‘Nations League’ dhe më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj federatën, gjithë stafin dhe njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mira, kemi treguar rritje. Është e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit e Botërorit”.
Burimi