Norris: Ishte stresuese të garoje me Verstappen nga pas, kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës

Norris: Ishte stresuese të garoje me Verstappen nga pas, kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës

Pas më shumë se një mijë ditësh, Max Verstappen nuk është më lideri i kampionatit të Formula 1. Ai e udhëhoqi këtë botëror që nga gara e Spanjës në vitin 2022 deri në fund të sezonit të kaluar, kur dhe u shpall kampion bote për të katërtën herë radhazi.
Tashmë kryesues i botërorit është britaniku i McLaren, Lando Norris, që fitoi garën e parë sezonale në Australi. Ai pati një duel të fortë me Verstappen në xhirot e fundit, por epërsia e McLaren e ndihmoi britanikun që të fitojë garën hapëse të sezonit.
“Ishte një garë e vështirë, ku bëmë disa gabime, por ato ishin të pranueshme pikërisht për vështirësinë e kushteve atmosferike. Shihni gabimet e të tjerëve, 6 pilotë nuk e mbyllën dot garën. Të tjerët nga jashtë nuk e kuptojnë dot këtë gjë”, tha Norris.
“Kur keni pak diferencë mund të relaksoheni, mund të futeni në një ritëm të mirë. Por, tre xhirot e fundit, me Max pas meje, ishin stresuese. Keni një linjë në pistën që thahet dhe sapo lëvizni një metër, paguani menjëherë pasojat dhe gjithçka mund të përfundojë”, u shpreh Norris.
Më tej, britaniku tha: “Duhet rrezikuar por ky është niveli në të cilin duhet të arrish për të provuar të fitosh një garë kundër pilotëve si Oscar Piastri dhe Max Verstappen. Ishte e vështirë, stresuese, por morëm vendimet e duhura në kohën e duhur. Kjo është ajo që më bëri të fitoja garën sot. Kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës”.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente