Gudulisje, autografë, valixhe e zezë dhe batuta, Fury e Usyk dhurojnë spektakël në konferencën për shtyp

Gudulisje, autografë, valixhe e zezë dhe batuta, Fury e Usyk dhurojnë spektakël në konferencën për shtyp

24 Tetor 2024

9:55

Telesport

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk dhe ai britanik Tyson Fury kanë zhvilluar në Londër një konferencë për shtyp, dy muaj para revanshit që do të zhvillojnë në Riad, më 21 dhjetor. Në maj, ukrainasi fitoi duelin e parë mes tyre me vendim shumice dhe u bë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë.
Por tashmë koha e revanshit po afron dhe dy boksierët kanë dhuruar spektakël në konferencën për shtyp. Batutat mes tyre për fitoren në revansh nuk kanë munguar, duke shkaktuar mjaft debate, por pa kaluar kurrë në fyerje. Ajo që ra në sy ishte veshja serioze e Usyk, që befasoi me paraqitjen e tij. “Ngjan si Shreku”, tha Fury.
Ai mbërriti në konferencë me një valixhe të zezë, ku më pas zbuloi se çfarë kishte brenda: Një poster nga sfida e parë dhe i kërkoi Fury t’i jepte në autograf. Gjë të cilën britaniku e bëri me dëshirë dhe nuk kundërshtoi. Në atë poster ishte momenti kur Usyk godiste me grusht Fury.
Në momentin që dy boksierët kanë dalë ballë për ballë nuk pati shtyrje, por gudulisje nga ana e Fury. Ukrainasi nuk reagoi, por kjo situatë shkaktoi mjaft të qeshura te të pranishmit. Të dyja stafet dhe boksierët ishin shumë të qetë në këtë konferencë të parë për shtyp në prag të revanshit.
Burimi