Daku: I shpërdoruam shanset tona, nuk kursej asgjë timen për kombëtaren
E nisi si titullar ndeshjen e mbrëmshme ndaj Çekisë, në majën e sulmit, në mungesë të Brojës, Manajt dhe Uzunit. U përpoq të lëvizte shumë, të futej në dyluftime, por pa qartësinë e duhur. Sigurisht, nuk pati mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e skuadrës, sidomos mesfusha dhe krahët, ndaj herë pas here nuk e fshehu zemërimin.
Mirlind Daku po bën shumë mirë në klubin e tij, por kjo nuk u “përkthye” dot pozitivisht në kombëtare, në “Epet Arena”. Duke folur pas humbjes 2-0, sulmuesi në fjalë nënvizoi mes të tjerash: “Të them të drejtën e dimim që para ndeshjes se na pret një ambient shumë i nxehtë, duke marrë parasysh edhe ndeshjen që kemi luajtur në Tiranë.
I kemi mundur çekët 3-0 atje dhe e dinim se na priste një transfertë e ashpër. Sa iu përket shanseve, i kishim edhe sonte, i patëm dy të mira. Besoj se që po të ishim pak më syhapur, do ta merrnim të paktën një pikë. Tani na pret shumë shpejt transferta kundër Gjeorgjisë, duhet të jemi më vigjilentë dhe t’i shfrytëzojmë rastet tona.
Uën vij me dëshirën më të madhe të luaj këtu, nuk kursehem në asnjë moment për kombëtaren. Kalojmë pak ditë së bashku në kombëtare, nuk kemi aq mundësi ta njohim njëri-tjetrin në kushte loje. Fjala vjen, mua nuk më ka rastisur shumë që të luaj minuta me lojtarët këtu, ndaj bëhet më e vështirë se në klub. Shpresoj të vazhdojmë e tregojmë performanca të mira, besoj se do të vijnë edhe golat.
Nuk pata shumë mbështetje në sulm, sepse Laçi ishte pak larg nga unë. Nuk është as faj im, as i Laçit, i askujt, sepse Çekia ishte organizuar mjaft mirë për topat e dytë. Besoj se për një sulmues është më mirë kur ka një numër 10 pranë, sepse bëhet më efikas në topat e dytë.
Shpresojmë që t’i përirësojmë gabimet e bëra sonte. Ekipet kundërshtare futen medoemos për të na mposhtur, kjo tregon që jemi rritur si kombëtare. Kjo është pjesa që na bën krenarë. Në çdo vend ku luajmë, na vlerësojnë maksimalisht. Tashmë ndaj Shqipërisë nuk merret si e sigurt fitorja nga askush.
Taktikë tjetër? Këto gjëra i përkasin trajnerit, unë jam gati të jap maksimumin në minutat që luaj. Trajneri vendos nëse luajmë me dy apo një sulmues. Nuk kam çfarë them për këtë pjese, shpreoj që në ndeshjen tjetër të mos kemi nevojë për sulmes shtesë gjatë lojës, por ta mbyllim ndeshjen herët e pastaj të mbrojmë”.
Burimi