Lufta në Izrael dhe Gaza që nga viti 2023 mbetet shumë emocionale dhe polarizuese. Një diskutim i bazuar në fakte rreth saj është i vështirë, jo vetëm, sepse faktet dhe interpretimi i tyre, veçanërisht në lidhje me Gazën, janë shumë të kontestuara.
Një studim i ri nga Instituti Max Planck për Kërkime Demografike (MPIDR) në Rostock dhe Qendra për Studime Demografike (CED) në Barcelonë, tani synon të krijojë një bazë të besueshme të dhënash.
Studiuesit e udhëhequr nga Ana C. Gómez-Ugarte vlerësojnë se 78,318 persona (ose 70,614–87,504 në intervalin e besimit) u vranë në Gaza midis 7 tetorit 2023 dhe 31 dhjetorit 2024. Si rezultat, jetëgjatësia në Gaza në vitin 2024, ra në më pak se gjysmën e asaj që do të pritej pa luftën. Një përditësim i analizës së tyre, i kryer pas publikimit të studimit, zbuloi se numri i vdekjeve të dhunshme, tani ka të ngjarë të kalojë 100,000.
Demografët i bazuan vlerësimet e tyre në të dhëna nga disa burime publike: Ministria Palestineze e Shëndetësisë, Qendra Izraelite e Informacionit për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara (B’Tselem), Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Grupi Ndërinstitucional i Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve dhe Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave.
Të dhëna të paplota
“Hendeku midis kufizimeve të të dhënave dhe nevojës për metrika kuptimplote, ishte shtysa për këtë studim. Ne tregojmë se këto sfida nuk duhet të jenë reciprokisht ekskluzive”, thotë Gómez-Ugarte në një deklaratë nga Shoqata Max Planck. “Qëllimi ynë është të vlerësojmë jetëgjatësinë dhe humbjen e jetëgjatësisë së shkaktuar nga konflikti i Gazës në Palestinë, në një mënyrë që merr në konsideratë të dhëna të paplota ose të pakta.”
Në studimin metodologjik, të botuar në revistën Population Health Metrics, ekipi paraqet një model që merr në konsideratë në mënyrë të qartë dy gabime specifike matjeje gjatë vlerësimit të vdekshmërisë:
pasiguria rreth numrit të përgjithshëm të vdekjeve, i cili ka të ngjarë të jetë nënvlerësuar nga burimet zyrtare, dhe
pasiguria në lidhje me moshën dhe gjininë e viktimave, të cilat nuk përfshihen në numrin total të vdekjeve.
Jetëgjatësia pothuajse përgjysmohet
Numri i vlerësuar i vdekjeve prej afërsisht 78,000, u përcaktua duke përdorur të ashtuquajturën qasje modelimi pseudo-Bajesian. Si pasojë e këtyre vdekjeve, jetëgjatësia në Gaza ra me 44 përqind në vitin 2023 dhe me 47 përqind në vitin 2024. “Krahasuar me shifrat e para luftës, kjo barazohet me një humbje prej 34.4 dhe 36.4 vitesh, përkatësisht”, shpjegon Gómez-Ugarte. Grafiku i mëposhtëm dhe një krahasim me territoret e tjera palestineze ilustrojnë natyrën dramatike të kësaj rënieje.
Jetëgjatësia në lindje për gratë (majtas) dhe burrat (djathtas). Përdoren shpërndarjet e moshës nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë (e kuqe) dhe shpërndarja e moshës e B’Tselem për Bregun Perëndimor (blu) për vitet 2023 dhe 2024. Format përfaqësojnë jetëgjatësinë e vëzhguar. Skenarët kundërfaktikë të jetëgjatësisë pa vdekje për shkak të konfliktit midis viteve 2012 dhe 2024 tregohen duke i zgjatur vijat në vitin 2014 dhe nga viti 2023 e tutje. Për vitet 2023 dhe 2024, simbolet përfaqësojnë vlerën mesatare, dhe vijat vertikale tregojnë intervalet e besimit 95%.
“Vlerësimet tona për ndikimin e luftës në jetëgjatësinë në Gaza dhe Palestinë janë të rëndësishme, por ka të ngjarë të përfaqësojnë vetëm një kufi të ulët të barrës aktuale të vdekshmërisë. Analiza jonë përqendrohet ekskluzivisht në vdekjet e drejtpërdrejta, të lidhura me konfliktin”, thotë Gómez-Ugarte. “Efektet indirekte të luftës, të cilat shpesh janë më të mëdha dhe më të gjata, nuk janë të përcaktuara në konsideratat tona.” / Der Standard.









