U gjet në një stacion autobusi në Londër: Piktura shitet për shifrën marramendëse

U gjet në një stacion autobusi në Londër: Piktura shitet për shifrën marramendëse

Një pikturë e shekullit të 16-të e vjedhur në një shtëpi në Londër dhe e gjetur më vonë në një stacion autobusi, është shitur për 22.3 milionë dollarë. “The Rest on the Flight to Egypt,” është një vepër e hershme e piktorit të famshëm italian Titian (emri i vërtetë i të cilit ishte Tiziano Vecellio) që përshkruan Jezusin, Marinë dhe Jozefin në rrugën e tyre për të kërkuar strehim në Egjipt.
Shtëpia e ankandeve “Christie’s” njoftoi shitjen e kësaj pikture, 22 vjet pasi ajo u vodh dhe u gjet rastësisht nga një detektiv britanik.
“Piktura e famshme, e përfunduar rreth vitit 1502, ishte vepra me çmimin më të lartë që u shit në ankand dhe vendosi një rekord për çdo vepër nga Titian,” tha një përfaqësues i shtëpisë së ankandeve.
Piktura u ble nga Markezi i katërt i Bath në vitin 1878, përpara se të varej në muret e shtëpisë së familjes së tij për më shumë se një shekull. Por, në vitin 1995, kjo pikturë, së bashku me dy të tjera, u vodhën nga kjo shtëpi. Piktura ishte zhdukur për shtatë vjet, përpara se të rikthehej përfundimisht në vitin 2002 nga Charley Hill, një detektiv i njohur arti që punonte në Scotland Yard, policinë e Londrës.
Ai dha një shpërblim prej 130 mijë dollarësh dhe u kontaktua nga një informator i rastësishëm. Ky i fundit e udhëzoi Hill-in që të udhëtonte me makinë nëpër Londër derisa ata ndaluan në një stacion autobusi ku një i moshuar mbante në dorë një qese me pikturën brenda.
“Problemi me vjedhjen e një pikture të famshme është se nuk ka asnjë mënyrë për ta shitur atë,” tha Hill për The Telegraph, pasi ajo u gjet. “Por nëse ofrohet një shpërblim i arsyeshëm, piktura mund të shfaqet.”
“Kjo është një pikturë e lakmuar nga aristokratët, pikërisht për skenën e saj me ngjyra të gjalla të dashurisë familjare brenda botës natyrore,” tha shtëpia e ankandeve në deklaratën zyrtare, ku zbuloi edhe shifrën marramendëse të shitjes, prej gati 22.3 milionë dollarë.
Titian e realizoi veprën në dekadën e parë të shekullit të 16-të, në fillim të karrierës së tij.
Me përmasa 46,2 dhe 62,9 centimetra, piktura është e vogël në krahasim me disa nga veprat masive për të cilat Titian u bë i njohur më vonë gjatë karrierës së tij.

 
Burimi