Trump: Biden është si një ‘palestinez’

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka vepruar “si një palestinez” në qasjen e tij ndaj konfliktit Izrael-Hamas duke dështuar të ndihmojë shtetin hebre të eliminojë grupin militant me bazë në Gaza, pretendoi Donald Trump gjatë debatit të parë presidencial të SHBA-së të së enjtes.
Gjatë një segmenti të politikës së jashtme të përballjes së moderuar nga CNN midis dy pretendentëve kryesorë për presidencën amerikane që u zhvillua në Atlanta, Gjeorgji, Trump kritikoi Biden për dështimin në fronte të shumta, duke përfshirë trajtimin e tij të konfliktit në Gaza.
Biden deklaroi se ai kishte siguruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për një plan me tri faza për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të cilin ai pretendoi se ishte miratuar nga “të gjithë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, direkt përmes G7-ës deri tek izraelitët dhe Netanyahu.”
“I vetmi që do që lufta të vazhdojë është Hamasi”, tha Biden.
Megjithatë, Trump pretendoi se kundërshtari i tij gaboi kur mendoi se Hamasi është “i vetmi që do të vazhdojë” dhe sugjeroi se Izraeli është “ai që dëshiron të vazhdojë”. Ish-presidenti këmbënguli se Uashingtoni duhet ta kishte lejuar prej kohësh shtetin hebre që të “mbaronte punën” kundër militantëve palestinezë.
“Ai nuk dëshiron ta bëjë. Është bërë si një palestinez”, tha Trump për Biden-in. “Por ata nuk e pëlqejnë atë sepse ai është një palestinez shumë i keq. Është i dobët.”
Biden pranoi se administrata e tij ka mbajtur një dërgesë me bomba 900 kg në Izrael, por argumentoi se këto municione “nuk funksionojnë shumë mirë në zonat e populluara” dhe “vrasin shumë njerëz të pafajshëm”.
Megjithatë, ai pretendoi se qeveria e tij i kishte dhënë Izraelit të gjitha llojet e tjera të armëve dhe e kishte “shpëtuar Izraelin”, duke dëshmuar se SHBA ishte “mbështetësi më i madh për Izraelin se kushdo në botë”.
“Ne do të vazhdojmë të dërgojmë ekspertët tanë dhe njerëzit tanë të inteligjencës që ata të ndalojnë Hamasin sië bëmë ne me Bin Ladenin”, deklaroi presidenti, duke sugjeruar se Hamasi tashmë është “dobësuar shumë” dhe “duhet eliminuar”.
Izraeli i shpalli luftë Hamasit pasi grupi militant palestinez nisi një sulm të befasishëm në jug të vendit, duke marrë mbi 200 pengje dhe duke lënë më shumë se 1200 të vdekur. Fushata ushtarake ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në Gaza; më shumë se 37,000 janë vrarë gjatë muajve të luftimeve, sipas ministrisë së shëndetësisë të enklavës./The Economic Times – Syri.net
Burimi