Shkup, miratohet qeveria e Mickovskit, koalicioni shqiptar do të drejtojë 6 ministri

Shkup, miratohet qeveria e Mickovskit, koalicioni shqiptar do të drejtojë 6 ministri

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u miratua të dielën në mbrëmje me 77 vota për, 22 kundër dhe asnjë abstenim. Partitë e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim e lëshuan seancën e parlamentit para se të votohej kabineti qeveritar.
Nga Zëri i Amerikës
Kryeministri i ri, Hristijan Mickovski dhe anëtarët e kabinetit e bënë betimin me emrin kushtetues të vendit që është ‘Maqedonia e Veriut’, ndërsa zoti Mickovki tha gjatë fjalimit para votimit se detyrohej ta respektojë këtë referencë kushtetuese, ndërkohë që e quajti atë “të turpshme” për populllin e këtij vendi.
“Do të bëj ç’mos deri sa të jem gjallë që ta rregulloj këtë padrejtësi. Por për fat të keq për momentin jam i pafuqishëm dhe më duhet të kapituloj si njeri dhe ta them para jush”, u shpreh ai.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ketë 24 anëtarë përfshirë kryeminstrin; pesë do të jenë zëvendës-kryeministra dhe vetëm tri gra do të jenë ministre.
Zoti Mickovski tha se qeveria e tij do t’i përkushtohej qytetarëve; se duhet shumë punë, përgjegjësi dhe projekte konkrete. “Në 100 ditët e para do t’i ngrejmë standardet, do të punojmë me mundim; do të ulim taksat, do të rrisim pensionet”, përsëriti premtimin e fushatës zgjedhore kreu i ri i pushtetit ekzekutiv në Shkup.
Ai paralajmëroi marrjen e një huaje prej një miliardë euro për ekonominë e vendit, ndërsa nga e marta do të ketë investime të huaja në një lartësi prej 400 milionë eurosh.
Zoti Mickovski theksoi angazhimet për një front kundër korrupsionit. Por, ai nuk tha asnjë fjalë lidhur me kushtet e BE-së për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Pa këto ndryshime Shkupi nuk do të mund të përparojë drejt Bashkimit Evropian.
Dita e dytë e debatit në parlament lidhur me programin e qeverisë dhe emrat e kandidatëve për ministra kaloi me përplasje midis ligjvënësve të VMRO-DPMNE-së dhe të Lidhjes Social Demokrate, e cila zotohet se do të jetë një opozitë konstruktive.
Akuza të ndërsjella shkëmbyen edhe deputetët e koalicioneve kundërshtare shqiptare, Fronti Evropian dhe Vlen, kryesisht për atë se kush ka dhe kush nuk ka legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët në pushtetin ekzekutiv.
Një tjetër çështje e diskutueshme midis partive shqiptare në parlament ishte kandidatura e Ivan Stoilkoviçit për ministër të Marrëdhënieve në mes Bashkësive Etnike, një politikan i pakicës serbe me qëndrime proruse dhe i dyshuar nga një pjesë e shtypit për lidhje me shërbimet sekrete serbe dhe ruse.
VMRO-ja do të drejtojë 15 ministri; koalicioni Vlen 6 dhe partia Znam 2 ministri.
Përfaqësuesit e koalicionit Vlen në qeveri janë: Izet Mexhiti, Zëvendës-kryeministër dhe Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë, Besar Durmishi i Ekonomisë dhe Punës, Orhan Murtezani, Ministër për Integrimet Evropiane, Fatmir Limani, Ministër për të Rinjtë dhe Demografinë dhe Arben Fetai, Ministër i Qeverisjes dhe Politikave të Mira.
Burimi