‘Sadik Kaceli vendosi të kthehej në Shqipëri për të kontribuar’, i biri rrëfen sakrificën e të atit

‘Sadik Kaceli vendosi të kthehej në Shqipëri për të kontribuar’, i biri rrëfen sakrificën e të atit

I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri TV, mjeshtri i pikturës Buron Kaceli foli për ekspozitën e tij më të fundit, të titulluar “Dy kohët”, e cila është çelur në Art Studio Kaceli, studio e tij personale.

Në këtë ekspozitë, që përfshin 110 punime, artisti sjell një ndarje simbolike të krijimtarisë së tij në dy periudha: atë para viteve ’90, kur arti ishte i kushtëzuar nga realizmi socialist, dhe atë pas ardhjes së demokracisë, kur krijimtaria e tij mori një drejtim më të lirë. Gjatë intervistës, Kaceli ndau edhe kujtime mbi ndikimin e babait të tij, piktorit të madh Sadik Kaceli, duke theksuar formimin e tij artistik dhe rolin e trashëgimisë familjare në artin e tij.

Pjesë nga biseda:

Egla Xhemalaj: Zoti Buron, ju i përkisni një familjeje me një trashëgimi të pasur artistike. Babai juaj, Sadik Kaceli, është një nga figurat më të rëndësishme të pikturës shqiptare. Si ka ndikuar ai në rrugëtimin tuaj si artist?

Buron Kaceli: Kam pasur fatin që të jem biri i një personaliteti, i një burri shumë të kulturuar, i një artisti të madh dhe i një pedagogu. Im atë ishte një burrë me një nivel kulturor mjaft të lartë, pjesëtar i një shoqërie artistësh dhe intelektualësh të shquar të Shqipërisë. Kam pasur rastin ose fatin t’i takoj disa prej tyre, të dëgjoj biseda me Lasgush Poradecin, Pashko Gjecin, Ramadan Sokolin, Ali Asllanin dhe shumë të tjerë. Ishin figura të mëdha që i dhanë kulturës sonë një dimension të veçantë.

Egla Xhemalaj: Sadik Kaceli ishte ndër të paktët artistë shqiptarë që studioi jashtë vendit në një nga akademitë më të rëndësishme të botës…

Buron Kaceli: Po, ai studioi në École des Beaux-Arts në Paris, një nga shkollat më prestigjioze të artit në botë. Ishte një nga studentët më të mirë të brezit të tij dhe u vlerësua me tri medalje: dy medalje ari dhe një medalje argjendi. Punët e tij u ekspozuan në Francë dhe u vlerësuan edhe nga kritika e kohës. Megjithatë, ashtu si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë që studiuan në Paris, Vjenë, Romë apo Berlin, ai vendosi të kthehej në Shqipëri për të kontribuar për vendin e tij. Ky ishte një brez që nuk mendonte vetëm për veten, por për gjithë kombin.

Egla Xhemalaj: Përveçse një artist i shquar, ai ka dhënë edhe një kontribut të rëndësishëm në mësimdhënie…

Buron Kaceli: Po, im atë nuk ishte vetëm piktor, por edhe një pedagog i përkushtuar. Ai solli në Shqipëri metodat më të avancuara të mësimdhënies në art. Kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm për edukimin artistik, që nga nivelet më të ulëta deri te brezat e rinj të piktorëve. Unë kam pasur mundësinë të mësoj prej tij, jo vetëm si student, por edhe si bir. E kam pasur pedagog, e kam pasur shok, e kam pasur baba. Ai kishte një natyrë shumë demokratike, dhe bisedonim për gjithçka, sidomos për artin.

Egla Xhemalaj: Ndiheshit i privilegjuar që rriteshit në një ambient të tillë artistik?

Buron Kaceli: Absolutisht po. Unë jam rritur në studion e tij mes librave, penelave dhe telajos. E kujtoj gjithmonë me emocione atë atmosferë krijuese. Ai ishte shumë i lumtur që unë po ndiqja rrugën e pikturës. Madje, vetëm duke lexuar nënvizimet e tij në libra, kam mësuar pafund nga mendimet dhe filozofia e tij mbi artin.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente