Presidenti i Malit të Zi në Bruksel, pas miratimit të rezolutës për Jasenovacin

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se shoqëria malazeze, pothuajse në tërësi, mbështet anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian – gjë që, sipas tij, i detyron vendimmarrësit të punojnë me përkushtim drejt realizimit të këtij qëllimi.
“Me veprime mendjengushta, Mali i Zi nuk duhet ta humbasë mundësinë që së shpejti të bëhet anëtar i plotë i BE-së”, tha ai.
Millatoviq i bëri komentet gjatë një takimi me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të martën në Bruksel.
Sipas njoftimit të Presidencës malazeze, Michel i tha Millatoviqit se Mali i Zi duhet të mbetet në rrugën evropiane.
Ishte ky takimi i parë mes zyrtarëve nga Podgorica dhe Brukseli pas miratimit të Rezolutës për Jasenovacin në Kuvendin e Malit të Zi.
Kjo rezolutë ishte pikërisht arsyeja përse takimi u zhvillua në Bruksel dhe jo në Podgoricë.
Michel e anuloi udhëtimin në kryeqytetin e Malit të Zi, pasi Parlamenti i këtij vendi miratoi Rezolutën për Jasenovacin më 28 qershor.
Në shpjegimin e kabinetit të Michelit nuk u përmend Rezoluta, por u tha se presidenti i Këshillit Evropian e shtyu vizitën e planifikuar në Mal të Zi më 2 dhe 3 korrik, “për të siguruar bisedime të suksesshme me bashkëbiseduesit kryesorë të këtij vendi, të cilat nuk duhet të mbeten nën hijen e ngjarjeve të fundit”.
I spoke today to President of Montenegro @JakovMilatovic and we agreed that we’ll meet in Brussels on Tuesday.It’s important 🇲🇪 stays focused on 🇪🇺 track.— Charles Michel (@CharlesMichel) June 30, 2024
Shumica parlamentare e Parlamentit të Malit të Zi votoi për Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac më 28 qershor.
Jasenovaci – 70 km në lindje të kryeqytetit të Kroacisë, Zagreb – është i njohur për vrasjet masive të hebrenjve, serbëve, romëve dhe kroatëve antifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vlerësimet e numrit të të vrarëve atje ndryshojnë, por historianët e pavarur thonë se ai sillet midis 80.000 dhe 100.000.
Qeveria kroate i konsideron ngjarjet atje si krim të Luftës së Dytë Botërore.
Në ditën kur u miratua rezoluta në Mal të Zi, Kroacia tha se ky veprim nuk i kontribuon ndërtimit të një kulture të përkujtimit, por se është “instrumentalizim i viktimave të Jasenovacit” për qëllime politike ditore.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjatë një bisede telefonike me homologun malazez, Jakov Millatoviq, tha se rezoluta është një akt i dëmshëm që “rëndon në mënyrë të panevojshme mbi marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve”.
Pas kësaj bisede, në platformën X reagoi edhe Millatoviq:
“Kemi rënë dakord se është detyrë e jona e përbashkët që t’i kujtojmë me nderim të gjitha viktimat e gjenocidit në Jasenovac, e jo që të tregtohet politikisht me viktimat dhe krimin, të cilin askush nuk e mohon”.
Rezoluta për Jasenovacin ishte një përgjigje politike e forcave proserbe në Mal të Zi ndaj mbështetjes së Qeverisë malazeze për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u miratua në fund të majit.
Rezolutën për Srebrenicën e kundërshtuan zyrtarët proserbë të Malit të Zi, përfshirë kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiq.
Burimi