‘Po zhvillohet politikë histerike ndaj shqiptarëve’, Ali Ahmeti: RMV nuk u përket vetëm maqedonasve

‘Po zhvillohet politikë histerike ndaj shqiptarëve’, Ali Ahmeti: RMV nuk u përket vetëm maqedonasve

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka vazhduar përplasjen verbale me Qeverinë në lidhje me kërkesën e tij për veting. Ahmeti tha se BDI ka propozuar veting para katër viteve dhe kërkoi që të miratohet ligj, si dhe vetingu të bëhet me ndihmë të ndërkombëtarëve.
“Ta provojmë humorin se si do të dalë. Kam bërë thirrje me vite. Ligji për veting është në sirtarët e Kuvendit i propozuar para katër viteve dhe le t’i hapim sirtarët, të bëhet vetingu me lehtësim ndërkombëtar”, u shpreh Ahmeti.
“Le të hapet kutia e Pandorës, si u bë privatizimi në Maqedoninë e atëhershme, kur shqiptarët u përjashtuan nga të gjitha sferat. Le të hapet hetim se si u pasuruan politikanët në RMV për 30 vitet e fundit. Le të hapet hetim për të gjitha paritë dhe ta shohim humorin se si do të shkojë. Filma të Hollivudit nuk bëj unë këtu, dhe nuk jam skenarist i Hollivudit. Le të urdhërojnë, i bëjmë të gjitha”, tha mes tjerash Ahmeti.
I pyetur se si do të veprojë Fronti Europian në të ardhmen, Ahmeti tha se do të kenë takime dhe do të fillojnë me konferenca për shtyp.
Ahmeti gjithashtu tha kohët e fundit po zhvillohet politikë histerike ndaj shqiptarëve, duke shtuar se nuk do të lejojë asnjëherë që ky shtet të jetë vetëm i maqedonasve.
 
Burimi