Historike: Teatri Kombëtar në Beograd, mikëpritës i Javës së Teatrit të Kosovës
Qendra Multimedia nga Prishtina ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar në Beograd [Народно позориште, Београд], për organizimin e Javës së Teatrit të Kosovës në Beograd, që do të ndodh në vjeshtë, rreth datës 29 nëntor 2024.
29 nëntori njihet si Dita e Republikës, datë në të cilën shënohej lindja e ish-shtetit tonë të dikurshëm, të përbashkët, Jugosllavisë.
Larg vëmendjes së mediave, Memorandumi është nënshkruar sot (2 korrik) në Beograd, nga drejtori i Teatrit Kombëtar në Beograd, z. Svetislav Gončic dhe nga drejtori i Qendrës Multimedia në Prishtinë, z. Jeton Neziraj.
Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, historike, që shënon një avancim të jashtëzakonshëm të raporteve kulturore mes Kosovës e Serbisë. Pas shumë vitesh konflikti të pashpresë ndërmjet dy vendeve, e sidomos pas tensioneve të javës që lamë pas, me ç’rast Qeveria e Serbisë anuloi në Beograd festivalin “Mirëdita, Dobar dan!”, ku po prezantohej skena artistike e Kosovës, lajmi për organizimin e Javës së Teatrit të Kosovës në Beograd përbën një sihariq dhe kapërcim revolucionar në një kohë kur shpresa për normalizim të raporteve duket se është shuar plotësisht. Kjo është një dritare e re për të ardhmen e të dyja vendeve.
“Jam i vetëdijshëm për peshën kulturore e politike që ka një ndërmarrje e këtillë, por jam i gatshëm t’i bart mbi supe pasojat. Është koha e fundit që dy vendet tona të shohin nga e ardhmja dhe hapja e dyerve për një skenë tatrore të vendit fqinj është akti më civilizues i mundshëm. Nga Ministria e Kulturës në Beograd më thanë që shqiptarët nuk kanë teatër. Por ata e kanë gabim. Shfaqjet e tyre mund të mos jenë të cilësisë së lartë artistike, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ne po ua japim dorën e pajtimit, po ua ofrojmë skenën tonë që ata të prezantojnë vallet e tyre, traditën. E di që shqiptarët kanë folklor të mahnitshëm”, u shpreh Svetislav Gončic.
Arritja e këtij memorandumi nuk ka qenë proces i lehtë. Negociatat janë zhvilluar për rreth dy muaj rresht, në Prishtinë dhe në Beograd. Në këta dy muaj negociata, u janë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve administrative e politike, të cilat shpesh nuk kanë qenë edhe aq të lehta. Mes këtyre çështjeve problematike ka qenë edhe çështja e pagesave dhe transaksioneve bankare për artistët e përfshirë. Palët jan dakorduar që pagesat për shpenzimet në Beograd të kryhen me euro, me para në dorë, ndërkohë që transferet e nevojshme nga Beogradi në Prishtinë të kryhen me dinar serb, por që ai pastaj do të konvertohet në euro nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Jam thellësisht i emocionuar për këtë arritje që me plot gojën mund të them se është historike. Për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në Beograd do të prezenohen shfaqje nga Kosova. Për tri ditë me radhë, Beogradi do të frymojë shqip. Kemi pasur shumë mosmarrvëshje dhe mospajtime, por të gjitha janë tejkaluar falë vullnetit tonë për kompromis. Ky është teatri, kjo është forca e teatrit”, u shpreh Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë.
Programi i plotë i shfaqjeve që do të prezantohen me këtë rast do të shpaloset në javët në vijim, por ai do të përfshijë shfaqjen “The Handke Project” si dhe një shfaqje me aktor të rinjë serb, me titullin “Banjska-dhimbja dhe krenaria jonë”. Kjo shfaqje do të realizohet nga rrëfimet e dëshmitarëve, materialet arkivore, fotografitë, xhirimet nga droni dhe do të ketë pasazhe nga libri “Ditari i Banjskës” i Milan Radoičic.
Ekskluzivisht për këtë rast, do të prodhohet edhe një shfaqje e re. Ngjarja e sajë është e vendosur në Beograd në vitet e ’50-ta dhe rrëfen historinë e një familjeje shqiptare 43 anëtarëshe dhe zanatin e tyre në fshirjen e oxhaqeve. Pas premierës, në shenjë nderimi për të gjithë shqiptarët e zellshëm që dikur kanë prerë drutë për dimër dhe kanë pastruar oxhaqet e shtëpive në Beograd, Teatri Kombëtar i Beogradit do ta ndërtojë një oxhak, në formën e një obelisku.
Burimi