Zgjedhjet në Himarë, Shpëtim Idrizi: E rëndësishme të përfundojë saga me Kryebashkiakun! Protesta e 11 korrikut? E mbështes, shprehje e nevojës që ka vendi për ndryshim

Zgjedhjet në Himarë, Shpëtim Idrizi: E rëndësishme të përfundojë saga me Kryebashkiakun! Protesta e 11 korrikut? E mbështes, shprehje e nevojës që ka vendi për ndryshim

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka shmangur komentet lidhur me kandidatin Petro Gjikuria që është propozuar nga opozita për bashkinë e Himarës.

I ftuar në News24, ai theksoi se e rëndësishme është të përfundojë kjo saga me kryebashkiakun, pasi qytetarët e Himarës dhe Himara kanë nevojë për një kryetar që të qëndrojë në kokë të punës, nga pastrimi i mbeturinave te masterplani.
Idrizi theksoi se nuk do të ishte dakort që në këtë Bashki të kishte vetëm kandidatë minoritarë.
“Himara nuk është zonë minoritare, nuk ka pse të trajtohet si një betejë minoritare. Derisa doli historia e Belerit nuk kemi pasur as tensione dhe as përplasje”, tha Idrizi, duke shtuar se Himara është stisur si vend konfliktesh, megjithëse ka 2 apo 3 fshatra që flitet greqisht.
Ai tha se Himara nuk duhet trajtuar as si zonë minoritare as si zonë ku shtohen minoritetet.
PROTESTA E 11 KORRIKUT
Referuar protestës së 11 korrikut, Idrizi tha se i mbështet protestat pasi ato janë shprehje e nevojës që ka vendi qoftë edhe për ndryshim.
Idrizi tha se nëse opozita do të dalë në protestë për të potencuar çështjet që shqetësojnë qytetarët, natyrisht që do të ketë një pjesëmarrje edhe më të lartë. “Nëse qytetarëve do tu thuhet ejani në protestë që të rrëzojmë Edi Ramën që të vijë Sali Berisha, natyrisht me këtë motivon militantët, por jo qytetarët”, tha Idrizi. Në këtë mënyrë, kreu i PDIU kërkoi që të adresohen problemet që kanë qytetarët.
REFORMA ZGJEDHORE
Lidhur me reformën zgjedhore, Idrizi tha se për të deri më sot kanë vendosur dy dinosaurët e politikës shqiptare, që janë dy partitë e mëdha, që herë binin dakort, herë nuk binin dakorD. Ai e konsideroi reformën zgjedhore dhe diskutimet që bëhen si një film që është parë dhe është stërparë në 3 dekada.
Idrizi tha se duhet të kuptohet që ditën e zgjedhjeve nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël, duhet ti japim fuqinë qytetarëve shqiptarë që me të votën e tyre të përcaktojnë kush janë të mëdhenjtë dhe të vegjlit.
Kreu i PDIU tha se opozita nuk duhet të operojë me bashkime mekanike, por ka nevojë për një ekip të ri.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi