Vrasja e Rakip Rolit në Laç, Apeli merr vendim për autorët! Ja me sa vite burg u dënuan Klaudio Gjexhaj dhe Llej Lika
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 27 vite burg Llej Lika dhe 20 vite burg për Klaudio Gjexhaj, të cilët akuzohen se janë autorë të vrasjes së Rakip Rolit.
Kështu, Apeli rrëzoi kërkesat e tyre. Konkretisht, Lika kërkoi dënimin e tij me minimuminpër kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa Gjexhaj kërkoi prishjen e vendimit, duke e deklaruar të pafajshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, ndryshimin e cilësimit ligjor të veprës penale në ‘Moskallëzim krimi”.
NGJARJA
Biznesmeni Rakip (Pilot) Rroli u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 10 dhjetorit 2021. 55-vjeçari ka dalë nga banesa në fshatin Sanxhak të Laçit, duke mos e ditur se ndaj tij ishte organizuar një atentat. Të paktën dy persona dyshohet të kenë marrë pjesë në krimin e rëndë.
Në drejtim të automjetit luksoz të tipit “Audi Q7” me targë 001 PB, me të cilin lëvizte i vetëm viktima, u qëllua me breshëri automatiku dhe të paktën 7 plumba e goditën në trup 55-vjeçarin, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ndërsa Roli humbi jetën menjëherë sapo u qëllua me breshëri automatiku, automjeti luksoz që drejtonte, ka vazhduar të ecë edhe për rreth 10 metra, duke goditur nga pas një makinë tip “Benz”, që lëvizte në drejtim të Mamurrasit dhe më pas ka përfunduar në një kanal buzë rrugës, ngjitur me murin rrethues të një banese.
Vendimi i Apelit:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, prokuroria e shkallës së parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal të vitit 2021, i cili lidhet me ngjarjen e datës 10.12.2021, ku në lagjen nr. 5, Sanxhak, Laç, Njësia Administrative Laç, Bashkia Kurbin, është vrarë me armë zjarri i ndjeri shtetasi me iniciale R. R. Viktima ka qënë duke qarkulluar me automjetin e tij, sipas drejtimit nga Sanxhaku për në Mamurras, ai është qëlluar kur ndodhej i vetëm brenda automjetit. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë shtetasit me iniciale Ll. L dhe K. Gj (B).
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:
të pandehurit me iniciale Ll. L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 – 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
të pandehurit me iniciale K. Gj (B), i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/2 – 25 i Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 196, datë 29.04.2024, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Ll. L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 25 (njëzet e pesë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Ll. L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 7 (shtatë) vite burgim.
Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri Ll. L dënohet me një dënim të vetëm prej 27 (njëzet e shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit K. Gj (B) për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 20 (njëzet) vite burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehurit me iniciale Ll. L, i cili kërkoi :
-Ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë në bazë të nenit 428, germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, deklarimin fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me minimumin që parashikon kjo dispozitë për këtë vepër penale.
– Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në bazë të nenit 428, germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, për sa i përket veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe ndryshimin e tij për masën e dënimit të caktuar nga gjykata, duke e dënuar atë me minimumin e dënimit të parashikuar nga ligji dhe në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një mase dënimi sa më të lehtë.
– Rregullimin e pasojave të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke pranuar kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe përfundimisht duke ulur një të tretën e dënimit me burgim për veprat penale për të cilat ky i pandehur do të deklarohet fajtor.
Si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K. Gj (B), i cili kërkoi prishjen e vendimit, duke e deklaruar të pafajshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, ndryshimin e cilësimit ligjor të veprës penale në ‘Moskallëzim krimi”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit penal, dënimin në bazë të kësaj dispozite dhe aplikimin e nenit 406/1 të Kodit Procedurës penale.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 26.11.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Valdete Hoxha dhe anëtarë znj. Brikena Ukperaj dhe z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 196, datë 29.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi