
“Treni i historisë ka ndaluar para nesh dhe duhet ta kapim”- Rama flet për shëndetësinë: Vetëm kush nuk do, nuk i sheh ndryshimet! 210 mijë pensionistë që marrin barna të rimbursueshme
Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy m’sy”, foli për integrimin në BE, duke thënë se “treni i historisë ka ndaluar para nesh dhe duhet ta kapim.”
Për këtë, tha kreu i qeverisë, duhet kapërcyer mbi partitë.
“Se ç’kam për të fituar unë, këtë do ta shohim më 12 maj. Por këtu nuk bëhet fjalë për mua, por për diçka shumë më të madhe. Për ti dhënë pasaportën e BE-së fëmijëve të këtij vendi, studentëve të këtij vendi. Dhe për këtë duhet kapërcyer mbi partitë, mbi broçkulla, sepse është një moment në histori se treni i historisë ka ndaluar para nesh dhe duhet ta kapim. Kush thotë s’është momenti, e humb trenin”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për shëndetësinë, duke thënë se ndryshimet nuk i sheh vetëm ai që nuk do t’i shohë.
“Unë besoj se kur vjen puna te shëndetësia, vetëm kush nuk do t’i shohë nuk i sheh ndryshimet. Kemi ndërtuar 53 spitale. Spitali i Korçës që është një investim tani dhe mbaron në 2027. Është ndërtuar në 1927 dhe që atëherë aty nuk është bërë asnjë investim. 10 spitale i kemi bërë nga e para, 43 të tjera janë hedhur në tokë dhe janë ribërë.
Sot janë 600 mijë qytetarë që marrin shërbimin falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite kontributet. Janë 400 ambulanca dhe qendra shëndetësore. Historinë e bëjnë ata që e shohin trenin e historisë dhe nuk kthehen nga ana tjetër dhe të thonë e shohim nesër.
Ne ulëm 30%, hoqëm taksën nga aspirina dhe dyfishuam fondin e barnave të rimbursueshme. Janë 210 mijë pensionistë që marrin barna të rimbursueshme. Po pagat e mjekëve? 490 euro në 2013, 1670 euro në 2024. Paga mesatare, 1670 euro e mjekëve. Paga mesatare e infermierëve, 850 euro. Po urgjenca mjekësore? 320 autoambulanca të reja dhe të pajisura me mjetet e jetë shpëtimit. 15 minuta nga marrja e njoftimit”, tha Rama.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi