
“Trajtim çnjerëzor ndaj pacientëve”- Vetting hedh dritë mbi kushtet e vështira te spitalet e shëndetit mendor! Gjykata Evropiane dënon 2 herë Shqipërinë! Arjana Rreli: Janë vetëm 3 qendra në Tiranë
EMISIONI VETTING
Gjykata Europiane: Shteti shqiptar trajtim çnjerëzor ndaj pacientëve
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka ndëshkuar dy herë shtetin shqiptar për trajtimin e pacientëve të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Konkretisht Shqipëria ka humbur dy gjyqe, një në vitin 2009 “D kundër Shqipërisë” dhe “S kundër Shqipërisë”, ku në të dyja rastet janë dëmshpërblyer pacientët e prekur nga paaftësia e shtetit shqiptar.
Sipas Gjykatës Europiane ka pasur një dështim të gjatë nga institucionet shqiptare për të ngritur një institucion mjekësor të posaçëm. Madje në rastin e “D kundra Shqipërisë”, Gjykata pohon se pacienti është trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shkelje të nenit 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Në këtë drejtim, mbyllja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor në institucione të veçanta brenda sistemit të burgjeve, përbën dhunim të rëndë të të drejtave të tyre, duke i vendosur ata në një formë të përjetshme të mohimit të lirisë.
Por gjendja e papërgjegjshmërisë të atyre që janë kronikë mund të zgjasë gjatë gjithë jetës dhe si rrjedhim edhe izolimi në institucione do të ishte i përjetshëm. Madje prania e hekurave dhe rojeve të armatosura krijon një atmosferë shtypëse, jo të favorshme për natyrën e një mjedisi rehabiliues.
Një rast tjetër lidhet edhe me vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka përfunduar në Gjykatën Europiane. Në vendimin e saj në çështjen “S kundër Shqipërisë” përmenden edhe pretendimet për shkeljen e nenit 3 të Konventës për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) i cili parashikon se “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”.
Gjykata konstatoi se z. “S”, subjekt i një vendimi gjyqësor i urdhëruar për trajtim të detyrueshëm spitalor, iu nënshtrua një trajtimi çnjerëzor dhe degradues për shkak të të kushteve të këqija në Spitalin e Burgut të Tiranës, ku ishte i burgosur që nga viti 2011.
“Ne kemi pasur trajtim çështjesh të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të “papërgjegjshmen” për veprën që kanë bërë por padrejtësisht mbahen nëpër burgje.”-tha për “Vetting” Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda.
Sipas vrojtimeve që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kryer në vitin 2024, rezulton se në këtë institucion ndodhen të akomoduar 446 shtetas të cilët rehabilitohen nga 53 punonjës mjekësorë. Për këta pacientë, gjykata ka vendosur masën mjekësore “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, duke iu mohuar shërbimin mjekësor sipas protokollit të miratuar të çrregullimeve të shëndetit mendor.
Psikiatrja Arjana Rreli u shpreh se: “Do ishte shumë më efektive puna në qendrat tona nëse siç thash do të kishim dhe struktura të tjera, do të relaksonin disi edhe punën e personelit.”
Njëkohësisht ndesh me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar bie edhe Ministria e Drejtësisë, e cila mban në institucionet në varësi të saj, në mënyrë të paligjshme shtetas me kufizime të aftësisë mendore.
Familjari i këtij pacienti i cili ka kaluar mbi dy dekada nëpër institucione që ia kanë përkeqësuar gjendjen shpreh kërkesën e tij: “Unë kërkoj nga institucionet e shtetit, nga seancat më të larta që ka shteti vendimi i formës së prerë, i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, largimin e menjëhershëm të vëllait nga burgu i Shënkollit drejt një spitali psikiatrik të specializuar të realizohet vendimi i gjykatës.”
Gjykata e Strasburgut në çështjen “S kundër Shqipërisë” konstatoi se autoritetet shqiptare kanë dështuar në ngritjen e një institucioni për trajtimin e personave me çrregullime mendore, të cilët janë privuar nga liria për shkak të trajtimit të detyrueshëm mjekësor të urdhëruar nga gjykata vendase.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare të vitit 2020, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 15 mijë euro pacientit, precedent ky që i hap rrugën të gjithë pacientëve që janë nën këto masa të marrin dëmshpërblim nga shtetit, kur shumë mirë mund të investohet për të krijuar një institucion të posaçëm.
“Absolutisht është e nevojshme që njerëzit të kenë, ta kuptojnë mjaft mirë ligjin dhe t’i drejtohen gjykatës për dëmshpërblime të herëpashershme dhe patjetër që në rast diskriminimi të këtyre pacientëve që kanë probleme të shëndetit mendor, nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur ligjore u shtofshin raste të tilla, ankesa të tilla dhe gjykatat shqiptar dhënshin sa më shumë drejtësi.”- shprehet Avokatja Ada Demiraj.
Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dështuan
Në vitin 2018 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar Komisionerin se është duke realizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë për ndërtimin e një institucioni që kujdeset për personat e rrezikshëm me probleme të shëndetit mendor.
Zgjidhje shteruese e këtij problemi do të ishte ngritja dhe funksionimi i një Institucioni Mjekësor të Posaçëm. Por sa janë në vëmendje të institucioneve që përdorin politika parandaluese, për t’i shërbyer jo vetëm njerëzve me probleme, por edhe për të frenuar shtimin e këtyre rasteve?
“Vetting” ka investiguar institucionet që duhet të merren me trajtimin e të sëmurëve mendorë, që duhet theksuar shpeshherë i hasim edhe në rrugë, pasi largohen nga institucionet apo shtëpitë e tyre të pashoqëruar. Madje ka pasur raste që të sëmurët të shëndetit mendor, janë lënë nëpër shtëpitë e tyre, pa marrë trajtimin e duhur e për pasojë në mënyrë të pavetëdijshme kanë kryer vepra penale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni përgjegjës, i cili duhet të sigurojë kujdesin shëndetësor, sigurimin e një mjedisi social të përshtatshëm për personat me çrregullime të shëndetit mendor.
Mjeku Shkëlqim Ahmetaj tha: “Të gjithë ata që merren me politikë duhet t’u ofrohen shqiptarëve me zgjidhje, pra me ofertë të drejtpërdrejtë. Pra ç’do bëhet me fëmijët tanë? Ç’do bëhet me ata persona më aftësi të kufizuar që nuk kanë asnjëlloj hapësire.”
Sipas një Raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përgjatë vitit 2023, rreth 58% e grave të anketuara dhe 40% e burrave kanë vuajtur nga një simptomë e Shëndetit mendor.
Nga anketa e kryer nga BERZH është evidentuar se të rinjtë dhe të moshuarit kanë përhapje më të lartë të problemeve me shëndetin mendor, pasi 40% e tyre në rang global raportojnë shqetësime ose episode të ankthit mesatarisht një herë në javë.
“Grupmosha aktive është më e prekshmja nga këto lloj problematikash, por gjithsesi patjetër që vëmendja duhet të jetë tek grupmoshat e vogla dhe mosha e tretë që kanë llojin e problematikës të përshtatur me moshën.”- dëftoi gjatë psikiatre Arjana Rreli.
Kushtet ‘shkel e shko’ të Spitaleve Psikiatrike
Spitalet psikiatrike janë një mjedis kyç ku pacientët e shëndetit mendor mund të rehabilitohen dhe të marrin mjekimin e duhur nga mjekë të specializuar.
Por a i marrin këta pacientë të gjitha shërbimet e nevojshme?
Në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike, Spitali psikiatrik në Qendrën Spitalore Kombëtare “Nënë Tereza” (QSUNT), Spitali Psikiatrik Elbasan, Spitali Psikiatrik i Vlorës dhe Spitali Psikiatrik i Shkodrës.
Spitali Psikiatrik “Xhavit Gjata” ndodhet në Tiranë dhe në këto ambiente janë të ndara 74 shtretër për të rriturit dhe 15 shtretër të shërbimit të psikiatrisë për fëmijë.
Ky spital prej vitesh është përballur me vështirësi financiare dhe investimesh, duke e bërë shërbimin jo cilësor për pacientët. EKG në vitin 2018 ka qenë jashtë funksionit prej më shumë se dy vitesh, por edhe shërbimet sikurse dhe ai stomatologjik, laboratorik klinik-biokimik dhe ekzaminimet imazherike, ofrohen pjesërisht nga shërbimi i neurologjisë dhe nga shërbime të specialiteteve përkatëse në QSUT.
“Nëse flasim për Tiranën është një qytet që shtohet çdo ditë, që zgjerohet çdo ditë. Në fakt ne jemi vetëm 3 qendra komunitare të shëndetit mendor kështu që nevojat padiskutim janë në rritje.”-u shpreh psikologe Rreli.
Koha e kufizuar në punë e psikiatërve dhe radha e gjatë e personave në pritje të vizitës bëjnë të mundur që mjeku t’a kryejë vizitën shumë shpejt duke mos ofruar një shërbim cilësor.
Përgjatë dimrit të ftohtë, këtyre pacientëve u ka munguar sistemi qendror i ngrohjes e sikur të mos mjaftonte kjo, dyert e dhomave, dushet, tualetet, sipas monitorimeve në terren të Avokatit të Popullit, kërkonin ndërhyrje të menjëhershme rikonstruksioni dhe riparimesh.
“Gjendja ekonomike le të themi është faktor që ndikon shumë në sjellje diskriminuese sepse kryesisht janë personat e pamundur ekonomikisht që ekspozuese ndaj sjelljeve diskriminuese”- tha Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
LEXO EDHE:
Kushtet çnjerëzore në spitalet e Burgjeve, familjari denoncon në Vetting: Vëllai im do ishte kuruar, por mungonin kushtet dhe ilaçet! Të dënuarit e tjerë e dhunuan, i dogjën syrin
“Trajtim çnjerëzor ndaj pacientëve”- Vetting hedh dritë mbi kushtet e vështira te spitalet e shëndetit mendor! Gjykata Evropiane dënon 2 herë Shqipërinë! Arjana Rreli: Janë vetëm 3 qendra në Tiranë
Spitalet Psikiatrike në kushtet të mjerueshme/ Vetting zbulon si ndahen “llokmat” e tenderave publik! Fituesit e dyshimtë, shënohen me ‘flamuj të kuq’
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi