Shqipëria në zi, Ismail Kadare u shua pas një arresti kardiak! Nga “Makbethi” që i ndryshoi jetën, tek azili politik në Francë, jeta e trazuar e gjeniut
ENIDA HIMAJ/ Shqipëria ka humbur ditën e djeshme kolosin e letërsisë, Ismail Kadare. Në orët e para të mëngjesit, shkrimtari i njohur ndërkombëtarisht ka pësuar arrest kardiak, ku edhe ka gjetur vdekjen pak minua më pas në spitalin e QSUT në Tiranë.
Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndërronin Perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane, por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa. Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme.
Në moshën 11-vjeçare lexoi tragjedinë “Makbeth” të Shekspirit dhe i ndryshoi jetën, megjithëse në atë moshë nuk kuptonte gjithçka. E donte kaq shumë sa filloi ta kopjonte në dorë. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958- 1960)Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare.
Romani vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit, “Le Monde” si një ndër 100 librat e shekullit XX. Më pas erdhi romani “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës. Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurrentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë, por nuk e fitoi. Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker Prize” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden”, i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”. Në 2019 fitoi çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli amerikan, ndërsa vitin e kaluar (17 tetor 2023) shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron. Mediat më të mëdha në botë shkruan për vdekjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ato i referohen si njeriu që i dha dritë të ndritshme, kohës kur Shqipëria ishte në errësirën e diktaturës së Enver Hoxhës. Mediat përmendin Kadarenë, si shkrimtari që luftoi komunizmin me veprat e tij. SHBA dhe BE kanë shprehur ngushëllime, duke e vlerësuar shkrimtarin, gjeni dhe gjigant letrar.
Fjalë të ndjera zgjodhën dhe krerët më të lartë të shtetit dhe politikës në reagimet e tyre për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, duke thënë se është një humbje e madhe për të gjithë kombin. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.
Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980).
E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi