Shqipëria anëtare e SEPA-s, Rama: Nga 1 janari, dërgesat e parave pa kosto me Europën! Sejko: Kursimi në ekonomi, 20 mln euro në vitin e parë
Shqipëria u bë dje pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjellas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025.
Kryeministri Edi Rama e quan një hap të madh në rrugën drejt BE-së pranimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjellas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025. Miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit te Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE”, shkruan Rama në një postim në X”.
Aktualisht, sektori bankar në Shqipëri i ekzekuton transfertat ndërkombëtare nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Një zgjidhje e tillë sjell komisione të larta dhe kohë relativisht të gjatë për kryerjen e transfertave. Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.
Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune. Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE, pritet të lehtësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare. Bizneset shqiptare do të kenë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës.
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë, siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi dje edhe pranimin e Malit të Zi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro. Me këtë vendim, shtrirja gjeografike e skemave të pagesave SEPA tani mbulon 38 vende.
GUVERNATORI
Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA) dhe nga 21 nëntori 2024, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh dje se, “kostoja e pagesave ndërkufitare në euro do jetë pesë herë më e ulët”. Kështu, Shqipëria bën pjesë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sejko thekson se me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të BSH në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”, deklaroi Guvernatori Sejko.
Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta, sipas kreut të BSH. Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.
“Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta. Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj.. Projeksionet vlerësojnë se në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA”, vijoi Guvernatori.
Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021, kur Banka e Shqipërisë u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në fushën e pagesave, BSH ka bërë përpjekje të konsiderueshme në përafrimin e sistemeve dhe rregulloreve kombëtare të pagesave me standardet e BE, duke veçuar këtu miratimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij.
“Banka e Shqipërisë ka udhëhequr dhe koordinuar punën për dërgimin e aplikimit zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA. Si kurorëzim i punës së bërë dhe koordinimit me gjithë institucionet e përfshira, në datën 12 qershor u firmos aplikimi zyrtar i Shqipërisë për anëtarësimin në SEPA. Si rrjedhojë, Shqipëria u bë vendi i parë në rajon që dërgoi aplikimin formal, aplikim i cili përmbyllet me sukses sot me vendimin e Këshillit Evropian të Pagesave për të pranuar Shqipërinë në zonën SEPA”, – tha Sejko.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi