“Sherri zgjati 8 sekonda”- SPAK pushon çështjen për konfliktin e Nallbatit dhe Sinajt në Kuvend! Zbardhen dëshmitë e dy deputetëve

“Sherri zgjati 8 sekonda”- SPAK pushon çështjen për konfliktin e Nallbatit dhe Sinajt në Kuvend! Zbardhen dëshmitë e dy deputetëve

SPAK ka pushuar hetimin lidhur me incidentin mes socialistit Vullnet Sinaj dhe demokratit Bledion Nallbati gjatë një seance plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Çështja është pushuar nga prokurori Elvin Gokaj, i cili nisi hetimet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”. Sipas dokumentit zyrtar, të siguruar nga Gazetari Igli Çelmeta, thuhet se informacionet e referuara për kryerjen e kësaj vepre penale nuk bazohen në fakte dhe prova.
“Nuk ekziston asnjë element me vlerë provuese që të provojë ekzistencën e veprës penale”, thuhet në dokument.
Të dy deputetët nuk kanë pranuar të pajisen me vendime ekspertimi nga mjeku ligjor, duke pohuar se nuk kanë dëmtime fizike. Në dokumentin zyrtar, thuhet se janë këqyrur pamjet filmike, në të cilat nuk janë evidentuar goditje mes deputetëve, ndërsa e gjithë skena e përplasjes duket se ka zgjatur vetëm 8 sekonda.
“Deputeti Nallbati ka shtrirë dorën e djathtë te vendi i deputetit Sinaj duke marrë diçka nga tavolina e tij. Sinaj është ngritur në këmbë dhe ka shtrënguar duart me deputetin demokrat, më pas Sinaj vendos duart në pjesën e përparme të gjoksit të deputetit Nallbati dhe e shtyn, ndërsa ky i fundit ka tentuar ta godasë duke bërë një lëvizje të krahut, por pa e arritur…”, thuhet në dokument.
Po ashtu, janë zbardhur edhe dëshmitë e dy deputetëve, të cilët kanë treguar versionin e tyre të ngjarjes.
Deputeti socialist ka dëshmuar se Bledjon Nallbati e ka shtyrë, dhe më pas sipas tij, ai e ka goditur më grusht.
“Gjatë fjalës time pata ndërhyrje për të mos më lënë të flisja. Këto që them mendoj që janë të qarta në pamjet filmike. Dhe papritur më afrohet kolegu Bledjon Nallbati, por që unë nuk e mendoja që do të bënte atë veprim dhe deshi të më merrte kartën duke e hequr atë dhe më ndërpreu fjalën. Instikisht për të mbrojtur kartën e kapa nga dora për t’i marrë kartën. Pastaj unë e kam lëshuar ai më shtyu edhe gati u rrëzova. U ngrita në këmbë për t’u vetëmbrojtur duke u ruajtur vetë dhe në atë kohë ai ka qëlluar me grusht, por unë grushtin e kam kapur me dorën e majtë dhe në atë moment pastaj ndërhyri garda dhe kolegët”, ka rrëfyer Sinaj.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat është shprehur se në këndvështrimin e tij situatën nuk e ka parë si dhunë, por si një lloj konfrontimi fizik.
“Unë i jam afruar zotit Sinaj për ti ndërprerë fjalën duke i hequr kartën nga mikrofoni, pa e prekur atë. Ai ka reaguar duke u ngritur dhe duke më prekur duart dhe ky ka qenë momenti kur jemi shtyrë me njëri tjetrin. Në gjykimin tim ky është një lloj konfrontimi fizik por unë nuk e kam parë si dhunë, ndërsa grupi parlamentar e ka gjykuar si të tillë”, ka dëshmuar ai.
Dëshmitë e plota
Vullnet Sinaj: Unë isha ulur në vendin tim dhe kisha regjistruar emrin për të folur atë ditë në parlament. Znj. Lindita Nikolla më dha të drejtën e fjalës. Situatën në parlament është e kotë që t’jua shpjegoj pasi ajo është e regjistruar në kamerat e parlamentit. Tema që kisha zgjedhur unë të flisja kishte të bënte me njerëzit me aftësi të kufizuara në zonën që unë përfaqësoj, por që kjo temë prekte të gjithë njerëzit në Shqipëri me aftësi të kufizuara. Dhe fillova të flisja për çështjen konkrete. Gjatë fjalës time pata ndërhyrje për të mos më lënë të flisja. Këto që them mendoj që janë të qarta në pamjet filmike.
Dhe papritur më afrohet kolegu Bledjon Nallbati, por që unë nuk e mendoja që do të bënte atë veprim dhe deshi të më merrte kartën duke e hequr atë dhe më ndërpreu fjalën. Instikisht për të mbrojtur kartën e kapa nga dora për t’i marrë kartën. Pastaj unë e kam lëshuar ai më shtyu edhe gati u rrëzova. U ngrita në këmbë për t’u vetëmbrojtur duke u ruajtur vetë dhe në atë kohë ai ka qëlluar me grusht, por unë grushtin e kam kapur me dorën e majtë dhe në atë moment pastaj ndërhyri garda dhe kolegët.
Nga kjo ngjarje jam ndjerë shumë keq dhe i ofenduar pasi unë me atë person skam patur kurrë ndonjë gjë. Në parlament kam ardhur për të ndarë ide dhe për të sjellë shqetësimet e zonës time dhe ju për t’u konfliktuar me njeri, pasi kjo nuk është pjesë e karakterit tim.
I pyetur nëse është paraqitur në spital ose pranë ndonjë qendre shëndetësore, Vullnet Sinaj ka deklaruar se: Jo nuk jam paraqitur, pasi nuk kam patur nevojë dhe nuk jam paraqitur fare.
I pyetur lidhur me pretendimin se Vullnet Sinaj është goditur, ai ka deklaruar se: Pasi më ka shtyrë dhe jam ngritur për t’u vetëmbrojtur më ka qëlluar me grusht të cilin ja kam pritur me dorën e majtë. Mendoj që nëse s’do ta kapja me dorën e majtë ai grusht do më kishte goditur në fytyrë.
Bledjon Nallbati: Lidhur me kallëzimin dua të sqaroj se situata është ajo e përshkruar aty por atë ditë ka qenë një situatë e rënduar në seancë parlamentare pasi ne kemi qenë duke kërkuar fjalën që na ishte mohuar, dhe në momentin që kryetari grupit ka qenë duke kërkuar fjalën për procedurë, e cila është një kërkesë e pamohueshme dhe kryetarja e Kuvendit ka për detyrë ta japë pasi është një detyrim nga ana e saj, por ajo i ka dhënë fjalën deputetit Vullnet Sina.
Në këto kushte unë i jam afruar zotit Sina për ti ndërprerë fjalën duke i hequr kartën nga mikrofoni, pa e prekur atë. Ai ka reaguar duke u ngritur dhe duke më prekur duart dhe ky ka qenë momenti kur jemi shtyrë me njëri tjetrin. Në gjykimin tim ky është një lloj konfrontimi fizik por unë nuk e kam parë si dhunë, ndërsa grupi parlamentar e ka gjykuar si të tillë.
I pyetur nëse është paraqitur në spital ose pranë ndonjë qendre shëndetësore, Bledjon Nallbati ka deklaruar se: Jo nuk jam paraqitur në asnjë qendër shëndetësore pasi nuk ka qenë e nevojshme.
I pyetur lidhur me kallëzimin e bërë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste nëse është në dijeni se kallëzimi penal është bërë për të njëjtin fakt, me pretendimin se Bledjon Nallbati ka goditur Vullnet Sinajn, Bledjon Nallbati ka deklaruar se: Eshtë e njëjta ngjarje dhe nuk kam asgjë tjetër për të thënë lidhur me këtë fakt. E gjithë kjo situatë është më tepër zhurmë politike. por gjithsesi është gjykimi i tyre dhe nuk kam asgjë për të shtuar.
I pyetur nëse do të bëjë akt ekspertimi mjeko ligjor, Bledjon Nallbati ka deklaruar se: Jo nuk kërkoj të pajisem me vendim ekspërtimi pasi nuk kam dëmtime fizike.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi