“Pse më lage me shampanjë?”- Si ndodhi sherri masiv në Palasë! Kush janë protagonistët! Njëri prej tyre, i shumëkërkuar nga policia
NIKOLETA KOVAÇI/ Një sherr masiv i ndodhur në Palasë orëve të para të së dielës ka rezultuar me dy persona të plagosur, njëri prej tyre rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në një resort luksoz, në të cilin mbrëmjen e së shtunës ishte ftuar të këndonte një këngëtar grek dhe sipas të dhënave, masat e sigurisë kanë qenë maksimale.
Por sherri i ndodhur rreth orës 02.30 të së dielës është bërë publik vetëm dje nga policia lokale dhe ajo e Vlorës, ndonëse ende për policinë janë të paidentifikuar edhe 2 persona të tjerë! Policia e Vlorës ka nisur tri informacione në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku fillimisht kishte probleme edhe me datën se kur ka ndodhur, ndërsa bënte me dije se është një i plagosur dhe dy në kërkim.
Pamjet filmike të dhunës brutale të dashamirësve të muzikës greke, që kishin mbërritur në atë resort dhe që u ngatërruan për pikat e shampanjës që iu bënë pis rrobat, treguan se në fakt ishin dy të plagosur dhe disa persona që ‘fluturonin’ gjithçka që gjendej në lokal. Mirëpo, ditën e djeshme, teksa policia rrekej të numëronte personat që mund të shpallte në kërkim si të përfshirë në ngjarje, u mësua se njëri nga dhunuesit që iku nga vendi i ngjarjes është një i shumëkërkuar.
Ai është përfshirë një vit më parë në një rrëmbim dhe mbajtje peng të një biznesmeni në Tiranë dhe po në Tiranë, në shkurtin e këtij viti, edhe pse ishte në kërkim nga policia, ai sulmoi me thikë një person në zonën e “Komunës së Parisit”. Dëshmitarët okularë që kanë qenë të pranishëm në resortin luksoz kanë treguar praninë e tij, çka la të dyshohej edhe në deklaratat e njëpasnjëshme të policisë së Vlorës!
TË PLAGOSURLuçiano Koçeku, 42 vjeçFatbardh Aliaj, 42 vjeç
NË KËRKIMFatmir Bejo, 30 vjeçXhoni Spaho, 28 vjeçGenti Baleci, 49 vjeçKlajdi Cerri, 32 vjeç
PËRLESHJA DHE PROTAGONISTËT
Një grup personash u përfshinë në një sherr të dhunshëm në ambientet e një resorti luksoz në Palasë, ndërsa mbante koncert këngëtari grek, Konstandinos Argiros, të shtunën.
Të plagosur mbetën Luçiano Koçeku 42 vjeç, biznesmen, i njohur dhe si Tur Koçeku, si edhe një person tjetër, i identifikuar si Fatbardh Aliaj, 42 vjeç. Mësohet se Koçeku ka pasur dëmtime në pjesën e sipërme të kokës.
Mes grumbullit të personave të përfshirë në përleshje, policia dje shpalli zyrtarisht në kërkim 4 prej tyre dhe konkretisht, Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana, Genti Baleci 49 vjeç nga Durrësi, Fatmir Bejo, 30 vjeç nga Durrësi dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç nga Tirana. Por bëhet me dije se edhe 2 persona të tjerë të përfshirë në sherr janë të paidentifikuar.
Fatmir Bejo 30 vjeç rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të shtetasit Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit” dhe në dhunimin e pengmarrjen për disa orë në prill të vitit 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gj. F., për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.
Mbetet e paqartë se si Fatmir Bejo ishte në kërkim dhe ka hyrë dhe dalë nga ai lokal pa rënë në sytë e policisë. I kërkuari tjetër, Xhoni Spaho, rezulton të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë “Aleanca për Demokracinë e Re”, që drejtohet nga Edmond Stojku.
Policia raportoi fillimisht se ngjarja ndodhi të hënën më datë 26 gusht, por më pas u tha se përleshja ka ndodhur mesnatën e 25 gushtit 2024, pra 2 ditë më parë. Në një njoftim të dytë të dhënë për mediat, Policia e Vlorës saktësoi datën e ngjarjes dhe njoftoi se bëhej fjalë për 2 të plagosur dhe 4 persona në kërkim, ndryshe nga sa kishte raportuar më parë, për 1 të plagosur dhe 2 në kërkim. Jo vetëm kaq. Për ngjarjen policia është treguar e rezervuar në informacione, duke mos dhënë fillimisht identitetet e personave të përfshirë dhe aq më pak dinamikën e ngjarjes apo nëse motivi i kësaj përleshjeje të dhunshme, që për fat nuk u përsërit ngjarja e 10 gushtit në Pogradec, shkon përtej hatërmbetjes për të lagurit me shampanjë!/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi