“O sot o kurrë, të bashkuar në betejë!”- Ish deputeti i PD për protestën e 11 korrikut: Duhet qeveri teknike! Vjedhja është kthyer në sistem
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar sot protestën thirrur nga opozita ditën e nesërme, 11 korrik, para kryeministrisë.
I ftuar në News 24, Balliu u shpreh se nesër në orën 20:00 opozita do të protestojë me sloganin “O sot o kurrë, të bashkuar në betejë”, duke shtuar se kjo do të jetë një nga protestat më të mëdha që opozita ka bërë.
“Qeveria e ka kthyer vjedhjen në sistem”, tha ai, duke shtuar më tej se sipas tij, “kjo qeveri do hajë dru nga vota e shqiptarëve”.
Ndër të tjera ai theksoi rëndësinë e një qeverie teknike, pasi askush nuk ka besim se këta pushtetarë nuk fusin duart në zgjedhje.
I ndalur më tej tek arrestimi i ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, demokrati u shpreh se ai u arrestua se ka vjedhur fondet e BE, ndërsa nuk është akuzuar për sterilizimin.
“Drejtësia të konfiskojë paratë e korrupsionit. Në zgjedhjet e ardhshme do hanë drurin nga vota e shqiptarëve. Do shkojmë në zgjedhje, por duhet qeveri teknike, sepse këtyre pushtetarëve nuk mund t’ju besohet menaxhimi i vjedhjeve”, tha ai.
Pjesë nga fjala e tij
Klevis Balliu: Këtu e keqja e madhe është se gjërat harrohen. Nëse ne lejojmë këtu që të bëhen afera pa fund, atëherë ne si qytetarë ja kemi lëshuar terrenin kësaj qeverie kriminale. Agresiviteti i pushtetit të korruptuar është i lartë dhe forma e vetme që mund të mbrohen është dhuna verbale e fizike. Çdo ministri vjedh njësoj, sepse vjedhja është kryer në sistem. Këtu jo vetëm që nuk konfiskohen paratë, por pagesat vazhdojnë. Hotelet, që janë ndërtuar me para korrupsioni vazhdojnë që të funksionojnë. Duke parë situatën e rëndë, qytetarët kanë në dorë vetëm protestën.
Beqja u arrestua se ka vjedhur fondet e BE, ndërsa nuk është akuzuar për sterilizimin. Jemi në shenjat e para të vënies së një diktature. Drejtësia të konfiskojë paratë e korrupsionit. Në zgjedhjet e ardhshme do hanë drurin nga vota e shqiptarëve. Do shkojmë në zgjedhje, por duhet qeveri teknike, sepse këtyre pushtetarëve nuk mund t’ju besohet menaxhimi i vjedhjeve. Në kohën e qeverisjes së PD, rruga nuk bëhej me këto kosto marramendëse. Rama do të na çojë në “rrugën” e Sonaloas. Shikoni ku ka arritur çështja, drejtori i shkollës shet drogë. Dilni në protestë për fëmijët tuaj. Protesta do të nisë tek Kryeministria, ku do të protestojmë për faktin tronditës që nuk kemi minimum jetik, 47 përqind e fëmijëve vuajnë urinë, arsimi është shkatërruar. Të gjithë aleatët do jenë në protestë, opozita është e bashkuar tani. Slogani ynë do jetë “O sot o kurrë, të bashkuar në betejë”. Jam i bindur se do jetë një nga protestat më të mëdha që kemi bërë, ajo që ka rëndësi është energjia që do të transmetojë protesta.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi