“Në këmbë për t’u përballur me diktaturën e re”- Mesazhi i Berishës me bashkatdhetarët në Greqi: PD, e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë së mirë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka përcjellë nje mesazh për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Gjatë këtij aktiviteti, Berisha tha se Shqipëria feston Ditën e Pavarësisë në një diktaturë të re, por siç u shpreh ai “ne jemi në këmbë për t’u përballur me të”.
“Kjo formë diktaturë, e panjohur ndonjëherë në Europë, por e njohur rëndom në Amerikën Latine dhe në vende të tjera të Afrikës, është forma e diktaturës që nuk zbaton asnjë rregull, asnjë ligj, ndaj studiuesit e kanë cilësuar si formën më të keqe të diktaturave.
Por, si çdo diktaturë, edhe kjo diktaturë nuk mund të ketë jetën e gjatë. Ndaj dhe ne jemi në këmbë për t’u përballur me këtë diktaturë.
Thashë dhe njëherë, nuk njeh ligje, Kushtetuta, rregulla dhe parime, njeh vetëm interesa mafioze të padrinos apo të kryeministrit që kontrollon çdo pushtet në Shqipëri”, tha Sali Berisha.
Berisha foli edhe për marrëdhniet e Shqipërisë me Greqinë, duke thënë se PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me Greqinë.
“E vërteta është se si çdo marrëdhënie fqinjësore, kanë pasur këto marrëdhënie uljet dhe ngritjet e tyre, por në tërësi ka predominuar fqinjësia e mirë. Ka predominuar respekti reciprok dhe kontributin më të madh në këto marrëdhënie e keni dhënë ju, emigrantët shqiptarë.
Ju ndërtuat jetën tuaj në Greqi, dhatë kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të këtij vendi me mundin dhe djersën tuaj. Krijuat një vend të respektuar dhe të nderuar në komunitetet ku jetoni.
Keni kontribut të çmuar në jetën shoqërore, kultore, të gjithanshme të këtij vendi.
Ecuria e statusit tuaj, ndryshimet kanë qenë të pamohueshme dhe pozitive.
Të gjitha këto në radhë të parë për meritën tuaj, për kontributin tuaj dhe dua të theksoj se ndoshta rrallë mund të gjesh dy kombe më të pleksur njëri me tjetrin se grekët dhe shqiptarët dhe ky është një faktor i pamohueshëm.
PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me vendin ku ju jetoni.
Ne arritëm në vitet e para pas një ndërprerje shumë të gjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve, arritëm të firmosim traktatin e miqësisë dhe ai traktat i firmosur nga presidenti Stefanopulos i kohës dhe unë, ishte dëshmi e një vullneti pozitiv për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe miqësor mes dy vendeve.
Ai traktat trajtonte problematikat që ekzistonin dhe orientonte zgjidhjet e tyre”, u shpreh Berisha.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi