
Në fokus integrimi në BE dhe reformat në drejtësi! Shqipëria mirëpret për herë të parë Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.
AFET – Confirmation hearing of Marta KOS, European Commissioner-designate for Enlargement
Komisioni Evropian njofton se kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi.
“Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit”, thuhet në deklaratën për mediat.
Ndër të tjera, sipas KE, Komisionerja do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryenegociatoren e BE-së Majlinda Dhuka dhe me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.
Ajo do të zhvillojë takime dhe me drejtues të institucioneve të pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.
Gjithashtu, Komisionerja Kos do t’u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës, ku do të diskutojnë mbi rolin e shoqërisë civile dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
KE njofotn se si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të marrë pjesë në takime me sipërmarrjet sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, me gra viktima të dhunës me bazë gjinore si dhe me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun.
Mësohet se Komisionerja Kos do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, e cila është planifikuar për në datë 13 mars në orën 10:10.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi