Ndarja nga jeta e Aristir Lumezit/ Ministri Taulant Balla: Mik i mirë dhe një gazetar korrekt! Ulsi Manja tregon bisedën e fundit: Njeri fisnik

Ndarja nga jeta e Aristir Lumezit/ Ministri Taulant Balla: Mik i mirë dhe një gazetar korrekt! Ulsi Manja tregon bisedën e fundit: Njeri fisnik

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeredaktorit të Gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla e përshkruan gazetarin Lumezi si një mik të mirë dhe korrekt në profesion.

“Një mik i mirë dhe një gazetar korrekt si Aristir Lumezi nuk ia doli dot në betejën me një sëmundje të rëndë. U prehsh në paqe Aristir!”, shkruan ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Edhe kreu i dikasterit të Drejtësisë, Ulsi Manja shprehet i keqardhur për ndarjen para kohë nga jeta të Aristir Lumezit. Ministri Manja e konsideron gazetarin Lumezi si një mik të vërtetë, ndërsa lajmi i ndarjes nga jeta e kapi në befasi.
Ministri i Drejtësisë teksa vlerëson personalitetin e Aristir Lumezit, kujton bisedën e fundit më te, që siç shprehet Ulsi Manja “ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij”.
Për Ulsi Manjën, gazetari Aristir Lumezi ishte një burrë fisnik që interesohej për hallet e të tjerëve.
“Ky ishte Aristir Lumezi, specie në zhdukje e gazetarisë korrekte dhe e lajmit “lajm”, pa cënuar askënd në nder e dinjitet dhe gjithmonë besnik i mbrojtjes së interesit publik dhe të vërtetës”, shkruan Manja, i cili thekson se do t’i mungojë familjes, miqve dhe shokëve, por mbi të gjitha gazetarisë.
Postimi i Ulsi Manjës
Lamtumirë, mik i vërtetë!
Lajmi për ndarjen nga jeta të Aristir Lumezit më kapi në befasi!
Nuk mbaj mend se kur ka qenë telefonata ime e fundit me Aristirin, pasi i kisha rënë disa herë kohët e fundit për ta pyetur për diçka thelbi i së cilës ka humbur nga ritmi i shpejtë i ditëve…!
Nuk mu përgjigj në telefon, mesa duket sëmundja nuk ia paska lejuar të rrokë telefonin në dorë. Se gatishmëria e tij për t’u përgjigjur në çdo orë të natës apo ditës ishte shembullore. Nuk e trazova më! Dhe sot mora lajmin e trishtë për ndarjen e tij nga kjo botë e zhurmshme, të cilës ai i qëndroi larg me atë qetësinë tipike që ishte pjesë e qenësishme e karakterit të tij. Megjithatë, përmbajtjen e bisedës së fundit me të e mbaj mend mirë, sepse Aristiri, si burrë fisnik që ishte, gjithnjë interesohej për hallet e të tjerëve. Telefonatat e tij ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij!
Ky ishte Aristir Lumezi, specie në zhdukje e gazetarisë korrekte dhe e lajmit “lajm”, pa cënuar askënd në nder e dinjitet dhe gjithmonë besnik i mbrojtjes së interesit publik dhe të vërtetës!
Dhimbja dhe mungesa më e madhe është e familjes, por jo pak do të na mungosh edhe neve, miqve dhe shokëve të shumtë që kishe, i dashur Aristir. Megjithatë, jam i bindur që më së shumti do t’i mungosh gazetarisë së ndershme dhe të vërtetë, që ti i dhe më të mirën tënde! Lamtumirë, mik i mirë, mik i vërtetë!
Kryeredaktori i Gazetës Panorama, Aristir Lumezi u nda nga jeta sot (10 korrik), pasi prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka dhënë një kontribut për më shumë se dy dekada në median shqiptare, ku ka mbajtur edhe poste drejtuesi.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi