
Mbyllja e TikTok, Sali Berisha: Platformë e mrekullueshme! Protesta e sotme, është më e rëndësishmja në jetën e të rinjve
Sali Berisha ka komentuar protestën e thirrur nga Partia Demokratike kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e TikTok, duke e quajtur rrjetin social një platformë të mrekullueshme.
“Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme”, tha ai.
Berisha deklaroi se protesta e sotme është më e rëndësishmja në jetën e të rinjve për lirinë e fjalës.
“Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë”, u shpreh kryedemokrati.
Sali Berisha: Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme. Edi Rama ka dhe një problem tjetër madhor në këtë qëndrim.
Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se në gusht të vitit 1988, Kristaq Rama asokohe zëvendësi i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar kryesor i presidiumit të Kuvendit Popullor, pra i Ramiz Alisë, firmos varjen në litar të poetit Havzi Nela për vargjet e tij kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit. Me aktin e tij, pas 37 viteve ndaj Tik Tok, Edi Rama dëshmon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar njëlloj si i atij, njëlloj siç po vepron me Tik Tok, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe.
Por sot të rinjtë kanë një protestë të madhe dhe kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë.
Ftoj kompanitë e internetit dhe të telefonisë celulare të mos bëhen bashkëautore në këtë megacensurë që e barazon Shqipërinë me Afganistanin dhe Teheranin. Ndaj të bëjnë çdo përpjekje që ato vegla që ka blerë Edi Rama për të bllokuar Tik Tokun të mos funksionojnë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi