
Kredi me zero interes për blerje banese, hapet thirrja për administratën! Si do të ndahen 530 kredi të buta për 12 institucione publike
Të gjithë punonjësit e administratës që nuk kanë në pronësi një shtëpi mund të aplikojnë falë programit për kredi pa interes.
Ditën e djeshme është hapur thirrja e vlefshme për një afat 1-mujor, nga e cila do të përfitojnë 530 qytetarë. Ata mund të marrin kredi deri në 85 për qind të vlerës së banesës që zgjedhin për të blerë, bazuar në çmimet e referencës dhe numrin e anëtarëve në familje.
Aplikantët duhet të mos kenë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, të mos zotërojnë pasuri të paluajtshme dhe të mos jenë përfitues nga programe të tjera të strehimit social. Ishte ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, ai që dha lajmin për hapjen e thirrjes për kredi të lehtësuar, e cila synon mbështetjen e çifteve të reja në blerjen e një banese. Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike, për vitin 2025 janë gjithsej 530, të ndara si në tabelën përbri këtij shkrimi. Shumicën e përbëjnë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, të Arsimit dhe Shëndetësisë.
PËRZGJEDHJA
Punonjësit e administratës publike që do të përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0% do të përzgjidhen nëpërmjet sistemit të pikëzimit. Në sistemin e pikëzimit përcaktohet se për t’u trajtuar me kredi të butë do të jenë ata punonjës që nuk disponojnë banesë në pronësi, banojnë në një banesë të mbipopulluar, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; punonjës që ka humbur banesën, si pasojë e zhvendosjes ose e zbatimit të një vendimi gjyqësor; punonjës që banon në banesë që do të prishet, pasi përjashtohet nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike, si dhe nuk përfiton një banesë tjetër.
Ndërsa kushtet sociale përfshijnë punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se shtatë vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit.
Për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes në plotësimin e kushteve sociale përcaktohen se do të përfshihen edhe punonjës, që i përket kategorisë “familje e re”, në kuptim të ligjit nr. 22/ 2018, të ndryshuar; punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se pesë vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit. Në Ministrinë e Brendshme, kuotat do të plotësohen për punonjës, që ka jo më pak se një vit i punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit e që bën pjesë në përkufizimin e pikës 54, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”; punonjës, të cilët kanë jo më pak se pesë vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit; punonjës, të cilët i përkasin kategorisë “Familje e re”, në kuptim të ligjit nr. 22/2018, të ndryshuar; punonjës, të cilët i përkasin kategorisë “Të rinj me moshë jo më të madhe se 40 vjeç” D Familjet njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi