Ilir Beqaj me pranga në duar, dalin pamjet e momentit të arrestimit të ish-ministrit të Shëndetësisë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është vendosur në pranga me urdhër të SPAK mëngjesin e sotëm (4 Korrik).
Në pamjet e siguruara nga Panorama.al shihet momenti kur Ilir Beqaj shoqërohet me pranga në duar nga efektivët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës.
Ilir Beqaj mësohet se është arrestuar në lidhje me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga ish-ministri deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.
Raportohet se në pranga janë vendosur gjithashtu edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është, Ermal Kurtulaj, njeriu i besuar i ish-ministrit dhe njëkohësisht nën hetim pasuror nga SPAK për lidhjet me Ilir Beqajn dhe pastrimin e parave nëpërmjet faturave fiktive.
Ilir Beqaj mësohet se është arrestuar me urdhër të SPAK mëngjesin e sotëm, së bashku dy persona të lidhur ngushtë me të.
“Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Për një informacion më të plotë, SPAK do te vijojmë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp”, informoi Prokuroria e Posaçme.
LEXONI EDHE: Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj
Si lëshoheshin faturat fiktive për shërbime të pakryera
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se si u krijua skema përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC si shpenzime.
Në dosjen hetimore është zbuluar se “më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer. Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt. ‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’
Pjesa e parë e dokumentarit:
Ata kishin krijuar një skemë në dukje të mprehtë, jashtë çdo lloj vigjilence, por kishin harruar se në fakt pikërisht në këtë periudhë të aktivitetit të tyre antiligjor, duhet të ishin më kurrë se çdo herë të padukshëm për ligjin, dhe për më tepër kur eprori i tyre ishte i rrethuar nga dara e SPAK dhe mban ende llogari të pambyllura me drejtësinë.
Ashtu edhe Ilir Beqaj, dikur ministër i Shëndetësisë, po përballet me dy dosje, të nxehta, të dyshuara me natyrë korruptive, për të cilat Prokuroria e Posaçme e ka në hetim, dhe që për këtë arsye i është ndaluar edhe dalja jashtë Shqipërisë si edhe paraqitja përpara këtij organi deri në përfundimin e plotë të hetimit.
Atëherë kur duhej që vartësit e tij në SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që merret me monitorimin dhe zbatimin e programeve kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, ku drejtor i përgjithshëm i emëruar direkt nga kryeministri ishte Ilir Beqaj, të ishin më të kujdesur qoftë edhe në shkeljet e tyre, duket se e kundërta ka ndodhur
Këta vartës rezulton se në interes të shefit të tyre jo vetëm nuk janë treguar të tillë, por e kanë intensifikuar aktivitetin e tyre të dyshuar korruptiv, edhe gjatë kohës që drejtuesi i tyre është në hetim nga SPAK, për dy aferat e tjera të përfolura mitomane, atë të koncesionit miliona euro të ‘Sterilizimit’ dhe të ‘Check up’.
Kjo, përmes një skeme të lëshimit të faturave fiktive, të cilat mesa duket zyrtarët e SASPAC, agjencisë së drejtuar nga Beqaj, kërkonin të mbulonin shpenzimet e pajustifikuara, por që me sa duket ishin kthyer në shpërdorime abuzive, që kishin dalë jashtë kontrollit.
Abuzime, që në ethet e një hetimi pasuror që mund të ishte gjithëpërfshirës, të nisur nga SPAK, kishin detyruar zyrtarët e kësaj agjencie, por mesa duket edhe vetë drejtuesin e saj Ilir Beqaj, që shpërdorimin me fondet e BE-së, ti mbulonin duke krijuar fatura tatimore për aktivitete të paqena.
Fatura të cilat rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e oborrit të tij në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar Organizata Jo Fitimprurëse.
Atyre u kërkohej në formën e një favori, të plotësonin këto fatura, që shkonin në shumën e mijëra eurove, për aktivitete të cilat në të vërtetë Agjencia nuk i kishte kryer.
Por çfarë ishte kjo skemë dhe si funksiononte?
Kush ishin zyrtarët e SASPAC të lidhur me këtë skemë dhe si ra Byroja Kombëtare e Hetimit në gjurmët e këtij organizimi, ku dyshohet se paratë shkonin në xhepat e zyrtarëve të SASPAC, dhe u faturoheshin qytetarëve europianë, të cilët këto fonde i kishin ofruar si ndihmë për Shqipërinë, nëpërmjet BE?
Sipas hetimit të kryer nga SPAK, një nga personat kyç në këtë aferë del të jetë Ermal Kurtulaj, i cili kishte rolin e koordinatorit të programit EUSAIR Facility Point, një projekt strategjik i 9 partnerëve europianë në tetë vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Kurtulaj konsiderohej brenda SASPAC si njeriu i besuar i drejtuesit të kësaj agjencie, Ilir Beqaj, detyrë të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e mbante që nga viti 2021, pavarësisht se në kohën kur u emërua nga kryeministri Rama në krye të SASPAC, ai ishte marrë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, për dy dosje të dyshuara korruptive.
Dosja Hetimore
Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme si më poshtë:
Nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre.
Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.
Por si arrinte Ermal Kurtulaj të krijonte fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC, si shpenzime?
Cilat ishin bizneset me të cilët ai bashkëpunonte dhe u kërkonte këto ndere dhe në bazë të cilit favor, këto biznese apo OJF krijonin të tilla fatura pa u trembur se një ditë do të ndëshkoheshin nga kontrollet tatimore?
Se si funksiononte kjo skemë mjafton të shikojmë mënyrën se si Kurtulaj ua kërkonte këto fatura bizneseve, që në fakt duket se ishin pjesë e tarafit të tyre ose më ngushtësisht ishin vetë bizneset që ata kishin në administrim, por duke i fshehur në emra të tjerë, të cilët thjesht sa u shërbenin qëllimeve të tyre.
Këto biseda janë përgjuar edhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe që përkojnë me periudhën nga muaji gusht 2023 dhe më pas, pikërisht koha kur eprori i tij në SASPAC Ilir Beqaj, e kishte punën pisk me drejtësinë dhe ishte ndërkohë në hetim për dy afera të tjera të dyshuara korruptive.
Dosja Hetimore
Më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.
Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt.
‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’
Nga kjo pjesë bisedë krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive, me qëllim për të justifikuar shpenzimin e shumës në faturë, pra 35 200 Euro.’
Por kjo mesa duket nuk ka qenë fatura e vetme fiktive që Ermal Kurtulaj është përpjekur dhe ka mundur të prodhojë në muajin gusht, pasi nga kërkimet e kryera nga SPAK, pranë regjistrit të Tatimeve, rezulton se po në këtë muaj, kundrejt operatorit EusAir Facility Point, janë lëshuar edhe 8 fatura të tilla të ngjashme.
Këtë herë nga kompania ‘Nine Services Int’. me shuma që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.
Dosja Hetimore
Më datë 18 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Nine Services INT’ shpk me përshkrimin ‘Konsulence bazuar në kontratë’, në shumën 35 200 Euro.
Shoqëri që si objekt të aktivitetit të saj ka ‘Shërbime dhe konsulentë në aktivitete sportive në veçanti në sportin e futbollit etj’.
Faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me Genci Shurdhon më datë 2 Gusht 2023, por duke qenë se ky shtetas nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, Kurtulaj e ka siguruar këtë faturë nëpërmjet shtetasit Elton Marini.
Sipas hulumtimeve të kryera në vazhdim nga SPAK, dhe bisedave që Kurtulaj dhe Marini kanë kryer me njëri-tjetrin, dyshohet se për këtë qëllim ata janë takuar me njëri-tjetrin.
Madje Kurtulaj i kërkon Marinit edhe vulën e biznesit së tij, duke krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një afrimitet midis të dyve, në raportin e besueshmërisë.
Dosja Hetimore
Në bisedat e mëvonshme të muajve gusht-shtator 2023, Ermali i kërkon Elton Marinit vulën dhe po ashtu i thotë se i duhej një firmë tjetër.
Nisur nga përmbajtja e bisedës ka të dhëna se ata takohen me njëri tjetrin.
Por këto mesa duket nuk janë të vetmet marrëveshje që Kurtulaj dhe Marini kanë bërë me njëri-tjetrin.
Siç del edhe në komunikimet në vazhdim, Kurtulaj i kërkon atij edhe të tjera fatura fiktive, të cilat mesa duket Marini, ia konkretizon.
Dosja Hetimore
Më datë 20 Nëntor 2023, kjo faturë është lëshuar përsëri nga shitësi ‘NINE Services’ kundrejt SASPAC, me të njëjtën vlerë, me përshkrimin ‘Organizim eventi Adrion në Durrës datë 14 Shtator 2023’.
Faturë e cila ka statusin ‘pranuar’.
Në vijim Ermali i komunikon Marinit se ka bërë dhe një version shqip dhe i duhej dhe njëherë vula dhe firma.
Megjithatë ‘Nine Services Int’ nuk është e vetmja kompani që ka lëshuar fatura fiktive me kërkesë të Ermal Kurtulaj.
Siç shikohet edhe më poshtë, në këtë valle janë futur kompani të tjera. Një ndër këto kompani, e përfshirë në këtë aferë, është edhe Screen AD.
Dosja Hetimore
Ermal Kurtulaj komunikon në telefon me një numër që në trueCaller, rezulton se punon pranë subjektit SCREEN AD sh.p.k.
Gjatë kësaj bisede Ermali i kërkon asaj lëshimin e një fature duke i dhënë dhe përshkrimin përkatës.
Kjo faturë rezulton të jetë lëshuar nga shoqëria ‘Niki Konstruksion @ Solar’ në vlerën 441 168 lekë kundrejt shoqërisë ‘Nine Services sh.p.k’, me përshkrimin ‘Event për Adrion Programe’.
Nga verifikimet mbi shoqërinë Screen AD, rezulton se kjo shoqëri ka realizuar shitjen kundrejt SASPAC sipas faturës datë 23 Tetor 2023, me vlerë 2 500 Euro, përshkrimi ‘Organizim Eventi Adrion Dhërmi 1 Shtator 2023’.
Megjithatë edhe në këtë rast ashtu si edhe në të ngjashmit e tjerë, Screen Ad, rezulton pas verifikimeve të SPAK, se nuk ka organizuar ndonjë event me titullin që ka emërtuar në faturën e lëshuar për SASPAC.
Madje këtë linjë kanë mbajtur edhe subjekte të tjerë, që tashmë janë në sitën e Prokurorisë së Posaçme, për të parë se si kanë mundur të lëshojnë fatura të tilla dhe mbi bazën e kujt interesi kanë ndërmarrë veprime të tilla, ku në një rast konkret, Ermal Kurtulaj e mëson njërin prej tyre edhe si ta mbushë faturën.
Dosja Hetimore
Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Bledar Leka’, me përshkrimin ‘Konsulencë”.
Nga biseda Kurtulaj i kërkon Lekës që të bëjë ‘një çik sot atë faturën’.
Ai i thotë në bisedë se ‘do ta çoj niptin, se ça përshkrimesh, si do e shkruajmë etj.’.
Duke krijuar kështu dyshimet mbi lëshimin e një fature fiktive për punime/shërbime të pakryera.
Po kështu, në një tjetër bisedë, Ermal Kurtulaj e pyet Bledar Lekën: ‘Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo?….
Ndërsa në një bisedë tjetër e pyet: ‘Ke hapësirë për 900 Euro shërbim konsulence pagesë KESH’.
Në lidhje me këto veprime financiare, Ermal Kurtulaj nuk kishte si të vepronte i vetëm brenda SASPAC, pavarësisht se jashtë ai mund t’i kishte rregulluar me të tijët punët.
Sipas SPAK, një nga bashkëpunëtoret e tij të ngushtë brenda agjencisë, në këtë aferë, del të jetë edhe Mira Topçiu, njeriu që ekzekuton të gjithë urdhrat financiarë brenda agjencisë.
Dosja Hetimore
Ermal Kurtulaj, rezulton se përfshihet edhe në veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC.
Në bashkëpunim me njëri tjetrin, rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar, ‘qira salle dhe shërbim kateringu’.
Po kështu rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, dhe kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi, ku Mira Topçiu ushtron veprimtarinë si person fizik, me fushë ‘Konsulencë për biznesin dhe financiare, inovacion etj.’
Megjithatë në kundërshtim të plotë me funksionin që mban, financierja e SASPAC, Mira Topçiu del se ka krijuar fatura fiktive, duke bashkëpunuar me shoqatën ‘Good Health’, e cila në fakt nuk është e askujt tjetër, përveçse e Ermal Kurtulaj, drejtuesit të saj në Agjenci, duke shkelur hapur kështu konfliktin e interesit.
Dosja Hetimore
Nga këqyrja në sistemin e Tatimeve-Fiskalizimi, Mira Topçiu, ka lëshuar faturat kundrejt shoqatës ‘GoodHealth:
Datë 12 Dhjetor 2023, në vlerën 5 000 euro si edhe më datë 9 Nëntor 2023, në vlerën 5 500 euro.
‘Good Health’ që drejtohet nga Ermal Kurtulaj ku rezulton se është i punësuar dhe vëllai i tij Sabian Kurtulaj.
Megjithatë lista e subjekteve të përfshira në këtë skemë, ku strumbullari del të jetë Ermal Kurtulaj, duket shumë më e gjatë.
Sërish një rol jo pak të rëndësishëm ka financierja e SASPAC, Mira Topçiu, e cila del se mban kontakte të vazhdueshme me biznese kryesisht në fushën gastronomike, që po kaq çuditërisht pranojnë të futen në këtë aferë.
Dosja Hetimore
Nga komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasit dhe Ermal Kurtulaj ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte.
Më datë 1 Nëntor 2023, Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun së cilës i kërkon të lëshojë një faturë, për një event:
‘Nga personi jot fizik, më duhet për çështje pune se s’po dimë se si do e rregullojmë nga që do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Më duhet një person që të më lëshojë një faturë’.
Fatura të ngjashme fiktive lëshohen në emër të SASPAC, edhe për shërbime gastronomike siç është rasti i restorantit ‘Luga e Artë’.
Rezulton se ky restorant ka lëshuar disa fatura fiktive në emër të agjencisë që në këtë kohë drejtohej nga Ilir Beqaj.
Kjo skemë mesa duket funksiononte duke i kaluar fillimisht paratë në llogarinë e subjektit që lëshon faturën fiktive dhe më tej pasi paratë tërhiqeshin nga llogaria, ato ndaheshin sipas marrëveshjes së rënë dakord më herët.
Dosja Hetimore
Subjekti tregtar ‘Dhurata Thanasi’, më datë 14 Nëntor 2023, ka lëshuar faturën me përshkrimin ‘Shërbim Kateringu’, në vlerën 259 000 lekë.
Po në këtë datë Ermal Kurtulaj ka komunikuar me shtetasen Dhurata Thanasi Luga, ku nga biseda i kërkon kësaj të fundit që të futet në aplikacionin BKT Smart dhe t’ia çojë në WhatsApp të dhënat e llogarisë ku do të bëhet trasnferta.
Më datë 30 Nëntor 2023, Ermali komunikon me Dhuratën dhe duke qenë se paratë i kanë kaluar në llogari i kërkon asaj të takohen.
Më datë 1 Dhjetor 2023, në bazë të pamjeve filmike në një lokal në rrugën e “Kosovarëve”, është evidentuar se Ermal Kurtulaj ka mbërritur aty më datë 30 Nëntor në orën 12:27.
Ai shfaqet teksa merr nga Dhurata Thanasi një send në dukje si letër apo para, të cilat më pas i fut në xhepin e majtë të pantallonave.
Ky takim dhe shkëmbim në dukje parash, u ballafaqua nga SPAK, edhe me tërheqjen e shumës nga Dhurata Thanasi
Kjo u vërtetua edhe nga kthimpërgjigja e bankës në të cilën fillimisht u bë transferta dhe më pas u tërhoq vlefta e parave, në të njëjtën ditë kur u zhvillua edhe takimi midis Ermal Kurtulaj dhe Dhurata Thanasit.
Dosja Hetimore
Me shkresën nr. 16358 prot., datë 4 Dhjetor 2023 u kërkua informacion pranë bankës BKT me qëllim verifikimin e lëvizjeve nga llogaria bankare e shtetases Dhurata Thanasi si tregtar person fizik. Nga shkresa e ardhur rezulton se subjekti ‘Dhurata Thanasi’, ka kryer tërheqje më datë 30 Nëntor 2023.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi