“I tronditur”- Humbja e parakohshme e Gerti Bogdanit, Basha: Mik dhe bashkëpunëtor i imi! Ngushëllime familjes
Lulzim Basha është shprehur i tronditur lidhje me vdekjen e paparitur të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani.
Basha shkruan përmes një postimi në Facebook, se Bogdani ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i tij, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes.
“Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe.
Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Si ndodhi vdekja e Gerti Bogdanit
Gerti Bogdani dyshohet se ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Ai ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë, kur ka shfaqur shqetësime.
“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet.
Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan në tualet dhe kanë hapur derën me forcë.
Ata e kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.
Më pas kanë lajmëruar ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani ka marrë ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B., 45 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi