
I dha telefonin e tij Erion Veliajt gjatë transferimit nga Durrësi në Apelin e GJKKO, zbardhet dëshmia e oficerit të burgjeve: E bëra nga frika…
Ditën kur Erion Veliaj u la në burg nga apeli i GJKKO, diçka e pazakontë ka ndodhur në makinën me të cilën kryetari i bashkisë po transferohej nga paraburgimi i Durrësit për në Apelin e GJKKO në Tiranë.
Një nga oficerët e burgjeve që shoqëronte kryetarin e bashkisë i ka dhënë këtij të fundit telefonin e tij me qëllim që Veliaj të bënte telefonata.
Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një fakt të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika.
Për këtë arsye Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim oficerët e burgjeve, të cilët shoqëronin kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë që më 13 mars, Gjykata e Apelit në Gjykatën e Posaçme hodhi poshtë kërkesën për lirim përkundrejt garancive pasurore të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrrest me burg të caktuar nga shkalla e parë një muaj më parë.
Veliaj, është një nga politikanët më të lartë të vënë nën hetim apo të arrestuar deri më sot në vend. Prokuroria thotë se ai dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të vet të afërm apo personalisht, pagesa apo të mira të tjera nga biznesmenë të ndryshëm në nëntë raste. Veliaj i mohon akuzat dhe pretendon se është shënjestër e një prokurorie të padrejtë.
DESHMIA E VELIAJT NE APELIN E GJKKO
Gjatë seancës kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, – mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.
Arrestimi
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh më shumë se 1 milion euro.
Në “detyrim paraqitje” janë bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.
Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Ndaj tyre SPAK ka ngritur disa akuza, ku sipas materialit të gjykatës, mësohet se janë fiksuar disa episode që implikojnë edhe kreun e Bashkisë së Tiranës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi