“Hidhërim me ikjen e beftë”- Ndarja nga jeta e ish-deputetit demokrat, presidenti Begaj: Gerti Bogdani promovoi vlerat më të mira
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për vdekjen e parakohshme të ish-deputetit demokrat, Gert Bogdani, i cili vdiq sot nga arresti kardiak.
“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit”, shkruan Presidenti, ndërsa thekson se ish-deputeti ka promovusr vlerat më të mira.
Postimi i Begajt:
Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit.
Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve!
Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE.
Si ndodhi vdekja e Gerti Bogdanit
Gerti Bogdani dyshohet se ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Ai ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë, kur ka shfaqur shqetësime.
“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet.
Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan në tualet dhe kanë hapur derën me forcë.
Ata e kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.
Më pas kanë lajmëruar ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani ka marrë ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B., 45 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi