Hapet gara për ndërtimin e zyrave të reja për administratën, shpallen fituesit për 2 projektet e para! Kryeministri: Shteti do të përfitojë si pronar i truallit

Hapet gara për ndërtimin e zyrave të reja për administratën, shpallen fituesit për 2 projektet e para! Kryeministri: Shteti do të përfitojë si pronar i truallit

VOLTIZA DURO/ Së shpejti do të ndërtohen zyra dhe do të krijohen hapësira të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Për të realizuar këtë, në Tiranë janë hapur dje konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku 10 studio prestigjioze paraqesin përpara jurisë ndërkombëtare projektidetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasjeje të re. I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Edi Rama u shpreh se shteti vendos në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendës e të huaj për ndërtimin e projekteve. Ai tha se institucionet publike paguajnë miliona euro në vit qira për të ushtruar aktivitetin e tyre.
“Janë 10 finalistë të ndarë në 2 grupe, 5 për çdo grup, që përballë jurisë ndërkombëtare do të prezantojnë projektidetë e tyre lidhur me 4 zhvillime të rëndësishme, të cilat janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një faze të re, një qasjeje të re dhe pa diskutim edhe një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike. Aktualisht, institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të ‘Shqipërisë 2030’, janë larg së qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët, të cilët shërbehen nga këto institucione janë larg të qenit të denja për kushtet në të cilat në fakt duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit”, tha kryeministri.
Më tej, Rama shtoi se përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qira, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë ushtrojnë aktivitetin e tyre në godina, që nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre.
“E përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qira, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat të cilat nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre. Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme të vazhdueshme mirëmbajtjeje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise. Ky moment është një moment shumë i rëndësishëm, pasi më në fund ne kemi një agjenci, e cila është krijuar me ligj disa vite më parë po për ngritjen dhe lëvizjen e së cilës është dashur një punë e gjatë përgatitore, Korporatën Shqiptare të Investimeve, ose ndryshe Albanian Investment Corporation (AIC) që në bashkëpunim me dy agjenci të mirënjohura në Europë, Agjencinë e Demanios në Itali, e cila e bën këtë punë prej shumë e shumë dekadash dhe që sot është zotëruese e 44 mijë pronave publike në territorin e Italisë ku shteti menaxhon pronat në mënyrë dhe me një qasje shumë sipërmarrëse”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se arkitektët janë thirrur të ofrojnë idetë dhe projektet e tyre që të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike, ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre.
Rama tha se shteti do të përfitojë si pronar i truallit një infrastrukturë të re për institucione publike, që ende rrinë në mjedise me qira apo ende nuk e kanë selinë e tyre të shekullit të ri, si për shembull Biblioteka Kombëtare etj..
“Ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi më në fund ne kemi një agjenci, e cila është krijuar me ligj disa vite më parë, po për ngritjen dhe vënien në punë të së cilës është dashur një punë e gjatë përgatitore, Korporatën Shqiptare të Investimeve. Ajo që do të ndodhë falë Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona si në të shkuarën te privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve. Kjo do të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike të mira publike dhe do të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin, që do të shërbejnë për investime të mëtejshme. Për ne është kënaqësi që këto sfida të mëdha të zhvillimit të jenë të shoqëruara nga një prani domethënëse të arkitektëve ndërkombëtarë”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe agjencinë partnere “Demanio” në Itali, e cila e bën këtë punë prej shumë dekadash dhe sot është zotëruese e 44 mijë pronave publike në territorin e Italisë, ku shteti menaxhon pronat me një qasje shumë sipërmarrëse.
SHPALLJA E FITUESVE
Pas vlerësimit, juria ndërkombëtare zgjodhi mbrëmjen e djeshme studiot arkitekturore për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasjeje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike. Për grupin e parë për lotin e parë, për strukturën administrative u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë) dhe Snohetta.
“Fasada është skematike dhe sugjerojmë ta hapni në të ardhmen. Ndërtesa juaj nuk është zgjedhur vetëm nga juria, por edhe nga personat që do të punojnë aty”, u shpreh kreu i jurisë.
Për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA). Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh e njëjta studio BAUKUH (Itali) dhe studio Snohetta (Norvegji).
Studiot pjesëmarrëse në konkurs për projektimin e godinave për administratën publike janë Andrea Caputo (Itali) dhe So-il (SHBA), Coldefy (Francë), Embt Architects (Spanjë), Snohetta (Norvegji), Zaha Hadid Architects (Britani e Madhe), ArchiTectonics (SHBA), Architecture Studio (Francë), Baukuh (Itali), Cook Research (Britani e Madhe), Mad Office (SHBA).
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi